Rusia nuk po planifikon mbyllje tjetër për të frenuar koronavirusin, ndonëse po regjistron shifra rekorde të infektuarve.
Rusia të mërkurën ka regjistruar rekord të ri prej 15.700 të infektuarve dhe po ashtu rekord ditor prej 317 të vdekurve si pasojë e COVID-19. Shifra totale e të vdekurve në Rusi si pasojë e COVID-19 ka arritur në 24.952, ndërsa e të infektuarve në 1.447.335.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se nuk do të ketë mbyllje, ndërsa ka thënë se duhet shtuar kujdesi.
Ai ka thënë se Rusia tash është më mirë e përgatitur për t’u përballur me pandeminë.
“Është bërë punë dhe po sjellë rezultat. Sistemi shëndetësor është i gatshëm të përballojë presionin e krijuar nga pandemia”, ka thënë Peskov, njofton agjencia Reuters.
Autoritetet shëndetësore në Rusi kanë thënë se do të hetojnë një rast që është raportuar në një medium lokal se disa persona kanë vdekur në një spital në Rostov-on-Don shkaku i mungesës së oksigjenit.
Peskov e ka quajtur alarmues këtë raportin.
Po ashtu në një video në rrjetet sociale janë parë dhjetëra trupa në thasë të zi duke qëndruar shtrirë në shtretër apo në dysheme në korridore në një spital në Siberi që është për t’i trajtuar pacientët me COVID-19.
Autoritetet lokale shëndetësore e kanë konfirmuar origjinalitetin e videos.