Rusia përfshihet në situatën e veriut, sërish e krahason Kosovën me Krimenë

Prishtinë | 29 Maj 2023 | 13:47 | Nga Ekonomia Online

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka deklaruar sot se situata në Kosovë “është e papranueshme, e tensionuar dhe shqetësuese”, transmeton “Russia Today”.

Lavrov ka përkujtuar se Perëndimi e ka përkrahur pavarësinë e Kosovës edhe pse nuk ka pasur referendum, ndërsa i njëjti parim nuk është përdorur në rastin e Krimesë.

Kreu i diplomacisë ruse ka pretenduar se Kosova e ka fituar pavarësinë e saj përmes një deklarate të “njëanshme dhe të paligjshme”, ndërsa gjithçka që BE-ja ka dakorduar me Kosovën dhe Serbinë rreth 10 vjet më parë ende nuk është zbatuar plotësisht. Sipas tij, kjo nuk do të ndodhë, sepse “Perëndimi ka kaluar në anën e separatistëve”, dhe “askush nuk planifikon të bëjë asgjë” në këtë drejtim.

“Sjellja ndaj popullatës serbe, e cila këto ditë po proteston kundër marrjes së paligjshme të pushtetit në veri të “krahinës autonome”, është shqetësuese”, ka thënë Lavrov, duke shtuar se NATO është në anën e “separatistëve”.

Vendimet e mëtejshme, sipas fjalëve të tij, “do të marrin presidenti i Serbisë, populli serb dhe serbët që po luftojnë për të drejtat e tyre në veri të Kosovës”.

Ai gjithashtu ka pretenduar se “një konflikt po lulëzon në qendër të Evropës, në të njëjtin vend ku në vitin 1999 NATO kreu agresion kundër ish-Jugosllavisë”.

Të ngjashme