utoritetet ruse i kanë arrestuar pesë ndihmës të politikanit të burgosur opozitar, Alexei Navalny, dhe i kanë paralajmëruar rrjetet sociale që të mos lejojnë thirrje për mbajtjen e protestave këtë fundjavë.
Përkrahësit e opozitarit të burgosur po planifikojnë të mbajnë protesta të shtunën në rreth 65 qytete në mbarë vendin për ta përkrahur kritikuesin e Kremlinit, i cili u arrestua menjëherë pas kthimit nga Gjermania fundjavën e kaluar.
Politikani 44 vjeç ishte duke u trajtuar në një spital në Berlin nga një helmim me agjentin nervor, Noviçok. Ai i ka fajësuar për këtë helmim shërbimet ruse të sigurisë dhe presidentin Vladimir Putin, shkruan The Guardian.
Arrestimi i Navalnyt nxiti reagime të shumta nga komuniteti ndërkombëtar. Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Franca dhe Kanadaja kanë bërë thirrje që ai të lirohet nga paraburgimi.
Prokurorët i paralajmëruan qytetarët rusë që të mos marrin pjesë në protesta gjatë pandemisë. Policia më vonë arrestoi disa ndihmës të Navalnyt, përfshirë një ndër aktivistet kryesore, Lyubov Sobol, dhe zëdhënësen e tij, Kira Yarmysh.
Policia ruse i arrestoi gjithashtu edhe Anastasia Panchenko-n, koordinatore e lëvizjes së Navalnyt në rajonin Krasnodar, dhe Georgy Alburov nga Fondacioni Kundër Korrupsionit.
Një avokat tjetër që është pjesë e këtij fondacioni, Vladlen Los, i cili është shtetas i Bjellorusisë, tha të enjten se është urdhëruar të largohet nga Rusia.