Izet Sadiku, zëvendësministër i Shëndetësisë, në emisionin Raport në KTV ka thënë se sot janë kthyer 106 persona nga Zvicra, derisa nesër pritet të kthehen edhe 120 të tjerë nga Turqia.
Ai ka bërë të ditur se deri më tani mbi 1 mijë persona janë vendosur në karantinë.
“Me vendim të Qeverisë që nga 19 marsi çdo qytetar ka qenë i detyruar të vendoset në karantinë në Qendrën e Studentëve dhe deri më tani janë vendosur mbi 1000 persona. E secili që ka hyrë në Kosovë kanë hyrë në karantinim 14 ditor”, ka thënë Sadiku.
Sadiku gjithashtu ka konfirmuar se deri më tani janë mbi 600 raste që janë testuar, prej tyre 7 kanë qenë pozitivë, dhe të tjerët janë lëshuar për në shtëpi ku janë futur në vetëizolim 14 ditor.
Ai ka shtuar se rreth 200 persona të stafit punojnë në menaxhimin e karantinimit, të cilët ndihmojnë në përballimin e kësaj situate.
Sadiku ka paralajmëruar se edhe javën e ardhshme do të kthehet një kontingjent i studentëve nga SHBA-ja.
“Plani është që në mënyrë graduale të kthehen qytetarët në Kosovë në mënyrë që të krijohen kushte për ta. Sot janë kthyer rreth 106 qytetarë nga Zvicra, shumica e të cilëve janë lëshuar në vetizolim në shtëpi. Nesër pritet edhe ardhja e një grupi prej 120 personave nga Turqia. E në fillim të javës ardhshme synohet që të kthehen edhe një grup i studentëve nga SHBA”, u shpreh Sadiku.
Sadiku shton se janë munduar të krijojnë kushte sa më të mirë në karantinë.
“Ne kemi krijuar kushte të tilla në mënyrë që asnjë person të mos rrezikohet, pasi ka pasur dhomë të veçantë, përveç nëse kanë qenë familjarë. 50 për qind i numrit të të infektuarve në Kosovë realisht kanë qenë asimptomatik, e kjo e bën shumë të rrezikshme situatën, prandaj jemi duke bërë përpjekje që të ofrojmë kushtet maksimale për të gjithë qytetarët që kthehen”, u shpreh Sadiku.