Nënkryetarja e komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu i tha Ekonomia Online se që nga viti 2020, është trefishuar numri i grave që i kanë mbështetur me subvencione.
Ajo ka marrë pjesën në hapjen e panairit të agrobizneseve të udhëhequra nga gratë që po mbahet në Prishtinë, për çka ka falënderuar organizatorët, për çka tha se po kontribuohet në rritjen e cilësisë e shitjes.
“Sot jemi me edicionin e tretë të panairit të agrobizneseve që janë nga gratë. Dhe është e treta nga EcoKosWomen të cilat do doja t’i falënderoja për punën që e bëjnë çdo vit. Sot jemi këtu siç edhe e patë, kemi një mori diversiteti të produkteve që po prezantohen, prej atyre ushqimoreve e deri tek aksesorët, deri tek produktet të cilat janë kozmetike, që janë me bazë me bimë aromatike dhe shëruese. Kjo për neve është me shumë rëndësi edhe pse i kemi vetëm dy kompani që janë të Prishtinës, të gjithë të tjerat janë nga e gjithë Kosova”.
“Kjo nënkupton se jemi kryeqytet dhe jemi një gravitet i të gjitha bizneseve kudo që janë dhe e kemi përgjegjësinë që të jemi shembull dhe model që të vazhdojmë tutje. Unë jam shumë krenare të flas për këtë punë sidomos kur e kam një bashkëpunëtor si Platori i cili është drejtor i Drejtorisë së Bujqësisë dhe i zhvillimit rural në kryeqytet ku falë punës së tij, angazhimit të ekipit të tij diku prej vitit 2020 deri këtë vit e kemi trefishuar numrin e grave që i kemi mbështetur me subvencione”, u shpreh Sahatçiu
Nënkryetarja e kryeqytetit u shpreh e brengosur për numrin e vogël të tokave pjellore dhe bujqësore që janë të regjistruara në emër të grave.
Ajo ka kërkuar që pronat të regjistrohen në emër të grave, po nëse nuk është mundur kjo të jenë në emër të të dy bashkëshortëve të paktën.
“Unë jam pak e shqetësuar me numrin e vogël të tokave pjellore dhe bujqësore që janë të regjistruara në emër të grave. Dhe do të doja që në një pikë specifike ne si kryeqytet ta punojmë në këtë problematikë që është në tërë vendin jo vetëm në Prishtinë, që ndoshta me një masë afirmative t’i inkurajojmë pronarët e tokave që të shkojnë e të fillojnë ta bëjnë ndryshimin e pronësisë, të paktën nëse jo të gjithën ta vendosin në emër të bashkëshortes apo gruas së tyre, ta bëjnë bashkëpronësi, ta regjistrojnë edhe gruan e tyre. Dhe kësisoji ne ta ndryshojmë mënyrën se si i japim fondet, jo vetëm gratë që janë në letër pronare e kur vije puna tek toka dhe tek mënyra se si shfrytëzohen ato shpenzime, buxhetin që e marrin nuk pyeten gratë”.
Për Ekonomia Online foli edhe njëra nga organizatoret, Nita Ferizi Sadiku nga EcoKosWomen. Ajo theksoi se gratë vazhdojnë të kenë qasje më të vështirë gjatë rrugëtimit të tyre.
“Panairi nga ne për ju i mbështet gratë në agrobiznes, është i treti me radhë që është duke u realizuar. Ky panair organizohet në kuadër të projektit SeeReed i cili zbatohet nga Caritas-i zviceran dhe financohet nga zyra AD në Kosovë në bashkëpunim të ngushtë me projektin SeeReed i cili zbatohet nga CNVP dhe me sponzorizor bankën TEB. Sot kemi rreth 22 biznese të cilat kanë prezantuar agroproduktet e tyre, sfidat për qasjen në gra vazhdojnë të jenë të njëjta. Qasja në financa dhe qasja në informata janë dy sfidat kryesore që gratë të cilat janë të kyçura në bujqësi vazhdojnë t’i kenë si barriera kryesore gjatë rrugëtimit të tyre”.
Sanie Hyseni, që merret me punimin dhe shitjen e bizhuterive të ndryshme dhe gurëve të çmuar për Ekonomia Online tha se Panairi ka ndikim në shitje.
Ndërsa Xhastina Kastrati nga fshati Dobërdol tha se në Panair shesin disa lloje të mjaltës, kremra për fytyrë, akne e shenja nga dielli si dhe propolis që ndikon te njerëzit që kanë imunitet të dobët, probleme me kollë, si dhe për personat duhanpirës.
LEXONI EDHE: