Sahatçiu thotë se kontrata 750 mijë euro e NPL “Prishtina Parking”, duhet të anulohet

Prishtinë | 22 Gus 2022 | 19:27 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetarja e komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, e cila vie nga radhët e PDK-së, ka dalur me një qëndrim ku thotë se kontrata 750 mijë euro e NPL Prishtina Parking, duhet të anulohet.

Siç shkruan në facebook, me pranimin e materialit të plotë lidhur me këtë çështje, shuhen shumë pikëpytje, përcjell Klankosova.tv.

”Kontrata 750,000 euro e NPL Prishtina Parking duhet të anulohet

Me pranimin e dokumentacionit të plotë të procesit për shpalljen e operatorit ekonomik fitues për kontratën “Shërbim me softuer për menaxhimin me parkingje publike në Komunën e Prishtinës.” shuhen shumë pikëpyetje.

A ka bazë dhe nevojë për procedurë të përshpejtuar? Jo.

A ka bazë për procedurë të negociuar? Jo. Ndonëse NPL thirret në faktin se operatori ekonomik fitues është operatori i njejtë që ka ndërtuar aplikacionet e kaluara, ka bazë të dyshohet se është lëshim i qëllimshëm duke mos e kërkuar pronësinë e kodit/pronës intelektuale në dorëzim të aplikacionit kur është ndërtuar.

A ka bazë në kërkesa për vlerën e kontratës? Jo. Volumi i kërkuar i punës mund të shndërrohet në jo më shumë se 3,000 orë pune. Çmimi i orës nuk mund të jetë 250 euro, edhe nëse heqim kostot e infrastrukturës. Hajde kontrata nuk shndërrohet në orë pune fare si njësi matëse. Nënshkrimi i kontratës si hisedarë me 15% të vlerës së qarkullimit dhe në mungesë të dorëzimit të pronësisë tek ndërmarrja përveç tjerash është edhe indikacion i kontraktimit të shërbimeve të ardhshme me të njejtin operator, me të njejtën procedurë.

A ka bazë dyshimi në kredencialet e operatorit ekonomik fitues? Po. Derisa online prezantohet si ofrues i shërbimeve të komunikimit në rrjete sociale, nuk ka asnjë kredencial online që e dëshmon përvojën e referencuar profesionale në kryerjen e shërbimeve të kërkuara.

A ka veçse bazë dyshimi me dy aplikacione mobile identike të NPL Prishtina Parking të ndërtuara nga i njejti operator? Po. Qytetarët çdo ditë raportojnë dyshime në marrjen e të hollave në dy sisteme paralele.

A i bën mirë kjo kontratë shërbimit të parkingut në këto kushte në Prishtinë? Jo, fare jo. Shto këtu edhe gjendjen aktuale në terren me qindra ankesa të qytetarëve për shërbim jo të mirë.

Kjo kontratë duhet të anulohet, duhet të ipet përgjegjësi dhe të ndalohet keqpërdorimi në vazhdim”.

Të ngjashme