Zëvendësministri i Arsimit, Heset Sahiti, po qëndron për një vizitë zyrtare në Gjermani, me ftesë të Këshillit për Mësim Plotësues të Gjuhës Shqipe për Bavari (KPGJSHB),ku ka zhvilluar një sërë takimesh me prindër dhe mësimdhënës në qytetet Nyrnberg, Mynchhen,Dingolfing dhe Landau, si dhe ka vizituar disa shkolla ku aktualisht zhvillohet mësimi plotësues. Qëllimi kësaj vizite është për të parë nga afër se cilat janë mundësitë për përfshirje më të madhe të të rinjve në mësimin plotësues,sa janë të interesuar prindërit në këtë aspekt, si dhe mundësitë e përkrahjes institucionale.
Zv/ministri Sahiti në takimet e mbajtura me komunitetin e prindërve dhe mësimdhënësve të angazhuar, ka shprehur gatishmërinë e Ministrisë së Arsimit,Shkencës dhe Teknologjisë që të vazhdojë të mbështesë zhvillimin e mësimit plotësues në Bavari,si dhe i ka inkurajuar ata që të angazhohen për përfshirje sa më të madhe të të rinjve në shkolla ku janë ofruar mundësitë për këtë qëllim.
Pjesëmarrësit në diskutime,ndër tjera thanë se,përfshirja e nxënësve në shkollë nuk është e kënaqshme, ndërsa theksuan edhe nevojën e angazhimit institucional dhe mbështetjes financiare për mësimdhënësit e angazhuar këtë proces.
Gjatë ditës së sotme, zv/ministri Sahiti,i shoqëruar nga Muhamet Krasniqi, kryetari KMPShB-së, me bashkëpunëtorë, ka vizituar disa nga shkollat ku po mbahej mësimi plotësues me ç`rast është pritur nga menaxhmenti i këtyre shkollave, të cilët i ka falënderuar për mundësitë që ata kanë ofruar për fëmijët e mërgatës sonë në Bavari, njëherësh e vlerësoi lartë edhe mbështetjen e GIZ-it në realizimin e projekteve arsimore në Kosovë.
Drejtoresha e shkollës “Grafinger Str 71” të Munchenit,Frau Ëutzgar,e ka falënderuar zv/ministrin Sahiti për vizitën dhe interesimin e MAShT,njëherësh ka thënë se është jashtëzakonisht me rëndësi që fëmijët ta mësojnë gjuhën amtare.
Ndërsa drejtori shkollës në Landau, z.Erenreicher Christian,në të cilën vijojnë mësimet nxënës të 25 nacionaliteteve të ndryshme,tha se është shumë i kënaqur me sjelljet e nxënësve shqiptarë dhe mësuesve të angazhuar në këtë shkollë, në të cilën veç mësimit, zhvillohet edhe ndjenja e harmonisë dhe lumturisë mes njerëzve.
Në vazhdim të vizitës së, zv/ministri Sahiti, ka asistuar edhe në orët mësimore në shkollat e përmendura me ç`rast nxënësve u foli për rëndësinë e mësimit të gjuhës amtare dhe ruajtjen e traditës sonë kombëtare,njëherësh iu uroi të kenë suksese në mësime dhe jetë dhe i porositi ata që të ftojnë moshatarët e tyre të vijojnë mësimin plotësues të gjuhës amtare.
Nxënësit,disa prej të cilëve vijnë nga qytete të largëta mbi 30 km, u shprehën shumë të gëzuar që kanë mundësi të mësojnë gjuhën shqipe dhe historinë e vendit të origjinës.