Në nëntor të këtij viti (18 – 20 nëntor) për herë të parë, Qeveria shqiptare organizon në Tiranë Samitin e Parë të Diasporës, për të shënuar gjithashtu 25-vjetorin e emigrimit post-komunist.
Të gjithë pjesëmarrësit do të jenë pjesë e diskutimit të njëmendtë për të vendosur një kuadër bashkëpunimi sa më konkret, për të ndërtuar së bashku mekanizma të qëndrueshëm dhe për të realizuar atë që ka munguar deri sot, një ndërveprim real mes atdheut dhe diasporës.
Kryeministri Edi Rama, në mesazhin e tij ka thënë se samiti do të hapë një kapitull të ri për vendin.
“Ky takim është një sprovë që do të na ndihmojë të diskutojmë, të gjejmë rrugët dhe mënyrat sesi mund të vihemi më mirë në shërbim të diçkaje që na bashkon për të ruajtur dhe forcuar identitetin tanë…”, ka thënë Rama.
“Samiti i nëntorit do të jetë çasti kur ne do të tregojmë kush jemi, çfarë mund të bëjmë dhe se kemi mjaftueshëm eksperiencë për të bërë edhe më shumë”, tha Rama.
Samiti do të mbledhë shqiptarë nga 50 vendet e botës, përfshirë emigrantë para dhe pas komunizmit në Shqipëri, individë të shquar nga fusha të ndryshme, drejtues apo përfaqësues të organizatave të ndryshme në diasporë si edhe anëtarë të saj nga të gjitha vendet e botës.
Samiti është një aktivitet madhor që organizohet për herë të parë nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.
Ky samit do të jetë kuvendi i parë gjithëshqiptar për të analizuar, së bashku me autoritetet si dhe aktorë të tjerë të vendit, të gjitha mundësitë për vendosjen e një bashkëpunimi të njëmendtë mes atdheut dhe diasporës shqiptare në botë.