Kandidati për president të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara nga radhët e Partisë Demokratike, Bernie Sanders, i ka dënuar përpjekjet e Rusisë për përkrahjen e fushatës së tij, duke e paralajmëruar që të qëndrojë larg zgjedhjeve amerikane.
Sanders tha të premten që zyrtarët amerikanë i kanë treguar muajin e kaluar se Rusia është duke bërë përpjekje ta përkrahë fushatën e tij, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.
Duke folur në Bakersfield të Kalifornisë, Sanders tha nuk është e qartë se në çfarë mënyre po planifikonte Rusia që të ndërhynte në zgjedhje. Megjithatë senatori 78-vjeçar tha se e ka kundërshtuar fuqishëm çfarëdo përpjekje të këtillë.
“Të jemi të qartë, rusët duan ta rrezikojnë demokracinë amerikane duke na përçarë dhe, ndryshe nga presidenti i tanishëm, qëndroj fuqishëm kundër përpjekjeve të tyre dhe të çfarëdo fuqie tjetër të jashtme që dëshiron të ndërhyjë në zgjedhjet tona”, tha Sanders.
Sanders tash për tash po vlerësohet si favorite kryesor për t’i fituar zgjedhjet brenda Partisë Demokratike për ta sfiduar presidentin Trump.
Zyrtarët e rrjetit social “Facebook” thanë se nuk ekziston ndonjë dëshmi për ndihma të Rusisë në fushatën e kandidatit Sanders.