Trajneri i Chelsea, Maurizio Sarri, i ka hapur derën e largimit nga ‘Stamford Bridge’ portierit Thibaut Courtois.
Italiani që këtë verë ka marrë drejtimin e Chelsea, sot për herë të parë do të takojë portierin belg, i cili është pjesë e spekulimeve për një kalim të mundshëm te Real Madrid.
‘SunSport’ të shtunën e javës së kaluar ka raportuar se agjenti i portierit i ka kërkuar Chelsea që të pranojë largimin e Courtoisit për 50 milionë euro.
Pas humbjes 2:0 nga Manchester City në finalen e Superkupës së Anglisë, trajneri i Chelsea është pyetur edhe rreth kësaj çështje.
“Nuk kam asnjë reagim për agjentin. Nuk jam i interesuar për agjentin. Dua vetëm ta dëgjoj Courtois”, është përgjigjur Sarri.
“Nëse Courtois thotë të njëjtën gjë, atëherë do të flas me klubin sepse unë dua vetëm lojtar që e kanë të lartë nivelin e motivimit”.