Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar pas kritikave në adresë të Komunës për mospastrim të rrugëve.
Ahmeti përmes një postimi në Facebook ka thënë se është bërë e pamundura që të pastrohen rrugët. Sipas tij, është punuar gjithë natën.
“Dhjetëra kamionë e makineri e pastrimit janë angazhuar që nga fillimi i reshjeve dje për pastrimin e borës. Janë thirr edhe kompani të tjera për të ndihmuar. Krejt kjo duke ditur që sot gati krejt qytetarët do të ju drejtohen kutive të votimit. Mund t’i lexoni lajmet edhe nga kryeqytete evropiane kur bie një sasi e tillë e borës. Edhe pse pastrohet vazhdimisht, prapë e dimë se pa u ndal reshjet nuk mund të pastrohet krejt. Që nga mbrëmja kemi qenë në kontakt me KKZ për të zhbllokuar rrugët në fshatra”, ka shkruar Ahmeti.
Ai thotë se komuna nuk ka më shumë mjete e as njerëz, se që ka angazhuar.
“Në orën 11 me përqindjen e qytetarëve që kishin dalë në zgjedhje edhe na akuzuan se po pengojmë procesin, thua se dikush ka porositur borën. Në orën 15 dalja është më e madhe se në vitin 2019. Tani më edhe rrugët janë normalizuar. Kritikat edhe do t’i pranojmë edhe do t’i analizojmë. Më shumë kamionë nuk kemi, e as më shumë njerëz nuk kemi. Më shumë orë natën nuk i kemi pas, e as ndikim në sasi të borës nuk kemi”, shkroi ai në Facebook.