Sazan Ibrahimi i kundërpërgjigjet Shpejtim Bulliqit: Nuk e organizova bojkotin e kryetarëve të komunave në takim me Kurtin, akuza e pavërtetë dhe absurde

Prishtinë | 24 Shk 2024 | 15:20 | Nga Ekonomia Online

Shumica e kryetarëve të komunave të Kosovës e kanë injoruar takimin me kryeministrin Albin Kurti, i zhvilluar më 21 shkurt, pasi morën pjesë vetëm dy kryetarë të komunave që udhëhiqen nga partitë opozitare. 

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe ai i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehi, kanë qenë të vetmit që i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit për takimin, ku kanë marrë pjesë edhe disa ministra.

Ky ‘bojkot’ nuk i ka pëlqyer kryetarit të komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, që vije nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili për mospjesëmarrjen e kryetarëve të komunave që udhëhqien nga opozita, e ka fajësuar kryetarin e Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.

“Nëse Sazan Ibrahim qëndron mbas kësaj për t’i ndaluar kryetarët për të shkuar në takim dhe nga ky deklarim po duket se ky i paska përgatitur dhe e paska bllokuar, nëse individ të caktuar qenkan të involvuar që për me mujt me pengu një takim të rregullt që është takimi i 6-të i Qeverisë”, ka thënë ai.

Por, akuzat e bëra nga Bulliqi, i quan të pavërteta Sazan Ibrahimi. Ai për Gazetën Online Reporteri.net se nuk qëndron ai para bojkotit që disa kryetarë të komunave i kanë bërë takimit me kryeministrin Kurti.

“Shumica e kryetarëve nuk kanë marrë pjesë dhe absolutisht është e pavërtetë se unë qëndroj pas këtij bojkoti. Unë nuk e kam atë fuqi mbi kryetarë që të ju them mos merrni pjesë në takim. Për mundësinë e organizimit të bojkotit më ka akuzuar kryetari Bulliqi. Ai këtë e ka mbështetur duke u thirrur një deklaratë timen se takimet e tilla me kryetarë duhet të organizohen më mirë dhe të ftohen më herët”, ka thënë Ibrahimi për Reporteri.net.

Ai thotë se asnjëherë nuk ka bërë thirrje për bojkot dhe se nuk e ka atë fuqi.

“Andaj akuza e Shpejtim Bulliqit është e pavërtetë dhe absurde”, ka thënë Ibrahimi.

Të ngjashme