SBASHK: Do të mbajmë grevë nëse vazhdojnë presionet ndaj nesh

Prishtinë | 28 Mar 2019 | 10:04 | Nga Ekonomia Online

Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë të jashtëzakonshme për gjendjen në arsim.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës, SBASHK, me anë të një komunikate për media iu është drejtuar deputetëve ku u thotë se sot në seancë duhet të diskutohet për mungesën e mjeteve nëpër shkolla dhe jo për një vendim ligjor të ministrit të Arsimit.

SBASHK gjithashtu thotë se deputetët duhet të mbrojnë ligjet dhe nuk duhet të cenohet pavarësia e institucioneve të drejtësisë.

“Të nderuar deputetë Ligji për grevat i Republikës së Kosovës e njeh grevën si veprim demokratik dhe nuk obligon grevistët që orët a ditë e humbura në grevë të kompensohen. Ministri Bytyqi nxori një vendim të pabazuar në ligj dhe bashkë me një pjesë të Drejtorëve të Drejtorive Arsimore e të disa shkollave filluan një presion të paparë ndaj mësimdhënësve për kompensim të orëve të humbura në grevë”.

“SBASHK duke e konsideruar me të drejtë këtë vendim jo ligjor ngriti padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë duke kërkuar që institucioni i drejtësisë të vlerësojë ligjshmërinë e këtij vendimi dhe SBASHK-u publikisht është deklaruar se do ta respektojë verdiktin e gjykatës. Mendojmë se çdo diskutim më parlament në dobi të vendimit joligjor të Ministrit Bytyqi do të ishte ndërhyrje dhe presion në institucionin e drejtësisë”, shkruhet në komunikatën e dërguar nga SBASHK.

SBASHK më tej thotë se duhet të qortohet Ministri i Arsimit dhe një pjesë e drejtorëve të cilët sipas tyre mësimdhënësve janë duke u shkaktuar presion.

“Të nderuar deputetë ju informojmë publikisht se nëse vazhdohet me presione ndaj mësimdhënësve për të zëvendësuar orët e humbura gjatë grevës , SBASHK-u duke dëgjuar zërin dhe kërkesën e punëtorëve të arsimit të Kosovës do të shpall grevë si reagim ndaj këtyre presioneve”.

“Ju kujtojmë se mësimdhënësit e Kosovës janë unik në respektimin e vendimit të Këshillit Drejtues të SBASHK-ut që mos të kompensohen orët e humbura gjatë grevës as të shtunave, as në pushimin pranveror e as ndonjë herë tjetër. Ju kujtojmë po ashtu se edhe pa këto kompensime plani e programi mësimor do të realizohet së paku 90 %”, shkruhet në komunikatën e SBASHK-ut.

Të ngjashme