Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) përmes një komunikate për media ka njoftuar për ecurinë e grevës në ditën e nëntë.
SBAShK përmes komunikatës ka njoftuar se të gjitha institucionet arsimore janë në grevë, përveç një shkollë në Gllogjan të komunës së Deçanit.
“Megjithëse jemi në ditën e nënte të grevës, edhe sot greva është mbajtur në të gjitha institucionet arsimore nga çerdhet deri ne universitete, me përjashtim të një shkolle në Gllogjan të komunës së Deçanit. Përndryshe të gjitha raportet nga komunat pasqyrojnë gjendje unike të grevistëve, si dhe përkundër të gjitha presioneve të bëra ata janë të palëkundshëm në kërkesat tyre”, shkruhet në komunikatë.
Aty njoftohet po ashtu se sot SBAShK-u ka takuar Këshillin e Prindërve të komunës së Prishtinë ku kanë shprehur keqardhje për këtë gjendje që nxënësit aktualisht nuk po munden të vijojnë mësimet e tyre.
“Sot në zyret e SBAShK-ut, Këshillin Grevist Qendror e vizitoj Kryesia e Këshillit të Prindërve të komunës së Prishtinës, e udhëhequr nga kryetarja e këtij këshilli Besa Halili Krasniqi, ku bashkëbiseduan, se si mund të gjendet ndonjë formë që të plotësohen kërkesat e mësimdhënësve dhe të ndërpritet greva, gjithashtu delegacioni i Këshillit të Prindërve shprehi mbështetjen e plotë në kërkesat e SBAShK-ut, ku kryetari i SBAShK-ut e falënderoj këtë këshill dhe gjithashtu para prindërve shprehi keqardhje që s’kemi arritur të gjejmë kompromis tjetër për të mos ardhur deri të greva, ku përgjegjës për këtë janë institucionet e shtetit”, shkruhet më tej.
Përmes komunikatës bëhet e ditur se sot SBAShK-u iu drejtua Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, me një shkresë në të cilën thuhet. ’’Edhe njëherë me mirësi kërkojmë nga ju që të gjeni formën dhe mundësitë financiare që kërkesat e punëtorëve arsimor nga çerdhet e deri te universitetet, si dhe nga punëtorët teknik e deri të rektori, të kenë një rangim me të lartë se 30%, karshi rangimit që ka ardhë te ju nga Qeveria, në mënyrë që këta punonjës të jenë të radhitur në nivelin meritor.
Gjithashtu kanë kërkuar një takim për sqarim rreth disa deklaratave që kanë qarkulluar për plotësimin e kërkesave të SBAShK-ut, e njëra ndër to ishte edhe ajo e deputetit të këtij komisioni Milaim Zeka ku kishte thënë se koeficienti për edukatorët është bërë 2.15. e koeficienti është bërë jo 30% siç kërkon SBAShK-u, por 25 %’’.
Në njoftim bëhet e ditur se kryetari i këtij komisioni Nait Hasani është takuar me përfaqësuesit e SBASHK-ut dhe ka njoftuar delegacionin e SBASHK-ut se komisioni ende se ka përfunduar punën në versionin final, për ta dërguar në komisionet e nevojshme parlamentare para se të dërgohet ligji për votim në seancë.
“Të nderuar grevistë, edhe përkundër përpjekjeve që të plotësohen kërkesat e drejta të juaja, ende rezultatet mungojnë, prandaj greva vazhdon edhe në ditët në vijim dhe për çdo lëvizje eventuale, do të informoheni përmes udhëheqësve tuaj sindikal dhe medieve të nderuara”, përfundon komunikata.