SBAShK-u në një komunikate për media ka reaguar ndaj rrënimit të Qendrës Burimore në Pejë e cila është shkollë për fëmijët e verbër dhe me dëmtime në të parë dhe në vend të saj të ndërtohet një ndërtesë gjykate. SBAShK-u thotë se është e shqetësuar me këtë vendim të marrë nga institucionet lokale e qendrore që të rrënohet ky objekt, ku sipas tyre është me pamje historike, ata njoftojnë se do të bëhen pjesë aktive e të gjitha veprimeve për ta penguar këtë ide sipas tyre të ngutshme e shumë të keqe.
“SBAShK-u kujton institucionet lokale të Pejës dhe ato qendrore se ndërtesa që është kthyer tani e sa vite në fole të ngrohtë për fëmijët me nevoja të veçanta, ka një historik dhe pamje të rrallë dhe është nderuar tani e 100 vite më parë dhe se është nga objektet që simbolizon Pejën nëpër dekada e vite. Institucionet lokale e qendrore le të ngritin një ndërtesë gjykate në cilin do vend tjetër, por jo këtu e duke rrënuar këtë institucion arsimor, i cili falë përkushtuar të mësimdhënësve dhe stafit është kthyer në një ambient miqësor e të punës dhe me arritjet e mëdha në misionin e shenjtë, ka krijuar dhe gëzon respekt, jo vetëm në Kosovë, por edhe mes institucioneve simotra në Ballkan, Evropë e kudo në botë”, shkruhet në komunikatë.
“Institucionet lokale e qendrore në Kosovë, por edhe të gjithë ne duhet të jemi krah këtyre punëtorëve të devotshëm të arsimit dhe të ndihmojmë që të vazhdojë rrugëtimi i tyre i suksesshëm në këtë mision të shenjtë, e jo t’ua rrënojmë institucionin për të cilin kanë dhënë e kontribuar aq shumë.
Pra, jo të rrënohet, por të investohet në këtë vatër të rëndësishme arsimore”, përfundon komunikata.