SBAShK-u nuk tërhiqet: Nga 14 janari arsimi në grevë

Prishtinë | 10 Jan 2019 | 15:46 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

14 janari do ta gjejë sistemin arsimorë në grevë të përgjithshme.

Ky qëndrim u bë i ditur edhe të enjten nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit Drejtues, ku u diskutuan veprimet sindikale në arsim, raporton Ekonomia Online.

Në këtë takim mori pjesë edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi.

Përkundër përpjekjes së tij, ai nuk arriti t’i bind sindikatat për mos mbajtjen e grevës.

Kryetarët e Sindikatave Komunale dhe të universiteteve të gjithë ishin në pajtim për fillimin e grevës së përgjithshme.

Ata thanë se duhet të ruhet dinjiteti i punonjësve dhe u zotuan që greva nuk do ndalet derisa të plotësohen kërkesat e tyre për koeficient më të lartë për paga të dinjitetshme.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, tha se pritja ka qenë e gjatë për reflektim nga ana e Qeverisë, sipas tij, sindikatat janë të gatshme të fillojnë grevën për pakënaqësitë e Ligjit të Pagave.

“Ajo që na lëndon është se edhe kryeministri, ministri dhe institucionet tjera publikisht thonë se kërkesat e SBAShK-ut janë të arsyeshme dhe legjitime, nëse është kështu atëherë Qeveria duhet të veproj dhe të i realizoj sepse janë vërtetë të arsyeshme”, tha Jasharaj, raporton EO.

Ai tha se edhe pse SBAShK- u ka pasur përpjekje të vazhdueshme për të ndryshuar projektligjin e pagave, kjo nuk është ndryshuar.

“Gjendja është e njëjtë, versioni aktual është i pandryshuar dhe ekspertet kanë thënë se ndryshimet që i kemi paraparë nuk janë të mjaftueshme sepse koeficienti në sektorë tjera ka ndryshuar në mënyrë marramendëse”, tha ai.

Jasharaj shtoi se mësimdhënësit e Kosovës meritojnë paga të dinjitetshme pasi që secili profesion hapat e parë i kanë falë mësimdhënësve, sipas tij, duhet të zbatohet kërkesa për rritjen për 30% për tërë sektorin e arsimit në Kosovë.

“Ne kemi kërkuar që të u rritet të tjerëve koeficienti, por Kosova nuk duhet harruar sistemin e arsimit çdo profesion tjetër kalon nga mësimdhënësit dhe askush nuk ka zbritur nga qielli doktor e akademik, por ka kaluar nga duart e juaja dhe kolegeve tanë”, u shpreh Jasharaj.

Pos kësaj, disa prej anëtarëve kërkuan edhe dorëheqjen e Ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi.

Fadil Halimi nga Sindikata Komunale në Podujevë kërkoi që Ministri i Arsimit të jep dorëheqje, sipas tij, ministri nuk e meriton të jetë prijës i arsimit në Kosovë.

Por Jasharaj tha se tani duhet të fokusohemi në kërkesat e ligjit të pagave dhe jo të bëhen kërkesa tjera që mund të konsiderohen si kahje partiake si kërkesa e dorëheqjes së ministrit.

Në fund të kësaj konference iu bashkua edhe Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi i cili kërkoi që të mos mbahet greva sepse është në dëm të nxënësve.

 “Kemi bërë përpjekje duke i bërë kërkesë zyrtarë ministrisë së Administratës por nuk kemi arrit aty ku duam pavarësisht se ka pas lëvizje. MAShT qëndron dhe është në bindje se duhet ndryshim pozitiv dhe duhet shikuar rrethanat që janë apo nuk janë të mundshme për të u realizuar”, tha ai.

Vendimin e SBAShK-ut për grevë, ministri i Arsimit, e quajti të gabuar.

“Vendimi i juaj për mbajtjen e grevës është vendim i gabuar sepse jeni duke e penguar procesin mësimor”, tha Bytyqi.

Sipas Bytyqit, është mundësia që t’i harmonizojmë bashkë vendimet për një zgjidhje të pranueshme që askush sipas tij, të mos bëhet pengesë e zhvillimit të mësimit.

Ai shtoi se kërkesa e tyre për rritjen për 30% është e papërballueshme për buxhetin.

“Kërkesa që sot është aktuale prej 30% është jashtëzakonisht e madhe sepse ka ndikim të papërballueshëm dhe ne duhet ta diskutojmë për mënyrën e zgjidhjes. Ka hapësirë që bashkë në si ministri dhe ju si sindikatë të bëhemi partner dhe të ulemi e ta zgjedhin probleme pa presione tjera”, tha ai.

Në anën tjetër sipas Jasharajt, nëse të hënën institucionet veprojnë në raport me kërkesat e mësimdhënësve, SBAShK-ut të martën do mblidhet dhe do të ketë ndryshim të veprimeve.

Të ngjashme