Përveç partnerëve strategjik, Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përkrahje të vazhdueshme për implementimin e Programit Nacional për Rininë po ofron edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.
Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, është takuar sot me Kryetarin e SBAShK-ut, Rrahaman Jasharaj, me të cilin biseduan për Garën e Diturisë e cila do të realizohet në kuadër të Programit Nacional për Rininë.
Koordinatori Hoti e njoftoi kryetarin Jasharaj për ecurinë e përgatitjeve për Garën e Diturisë dhe e falënderoi atë për mbështetjen që po ofron në implementimin e Programit Nacional për Rininë.
“Gara e Diturisë është pjesë e Programit Nacional për Rininë i paraparë për të gjithë nxënësit e Republikës së Kosovës. Jemi në përfundim të përgatitjeve për Garën e Diturisë e cila do të mbahet ditën e shtunë më 11 maj 2019. Ju falënderoj juve për mbështetjen e dhënë për garën e Kreativitetit Kulturor dhe Mendimit Kritik ashtu edhe për Garën e Diturisë”, tha Hoti.
Ndërsa, Kryetari i SBAShK-ut Jasharaj, ritheksoi përkrahjen e sindikatës që përfaqëson për Programin Nacional për Rininë dhe tha se Gara e Diturisë do të kontribuoj në rritjen e cilësisë së arsimit në vend.
Gara e Diturisë është pjesë e Programit Nacional për Rininë dhe do të organizohet në tri nivele: në nivelin shkollor, komunal dhe republikan. Fituesit e vendeve të para në nivelin shkollor, për secilën lëndë, për secilën gjeneratë do të garojnë në nivelin komunal, pastaj vendet e para të këtij niveli do të garojnë për fituesin e nivelit republikan.