Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës u ka uruar punëtorëve të arsimit fillimin e gjysmëvjetorit të dytë.
Me këtë rast, nga kjo sindikatë kanë kërkuar që punëtorët e arsimit të angazhohen maksimalisht në respektimin e rekomandimeve të IKSHPK’së, për të ruajtur shëndetin e tyre dhe të nxënësve.
Nga SBASHK’u kanë thënë se ndonjë mesazh përgëzimi e mbështetjeje i institucioneve të Kosovës do t’u jepte kurajo e forcë shtesë për ta realizuar më lehtë misionin e tyre.
Njoftimi i plotë:
Të nderuar punëtorë të arsimit me respektin më të lartë ju përgëzojmë për gatishmërinë dhe angazhimin që gjysmëvjetori i dytë të nis me sukses. Urojmë që të kemi sa më pak telashe e vështirësi me pandeminë dhe të vazhdojmë betejën për dije të reja edhe përkundër mungesës së kushteve për punë dhe të mjeteve bashkëkohore të mësimit.
Gatishmëria dhe vullneti juaj në misionin e shenjtë të edukimit e arsimimit të brezave na bën të ndjehemi krenar dhe Ju premtojmë se ne do të vazhdojmë ta ruajmë besimin tuaj duke u angazhuar tani e gjithmonë që të jemi zë i juaji dhe të realizojmë kërkesat tuaja legjitime.
Ju lusim të angazhoheni maksimalisht në respektimin e rekomandimeve të IKSHPK-së duke ruajtur kështu shëndetin e nxënësve tanë dhe shëndetin tuaj.
Ju përgëzojmë edhe për gatishmërinë e shprehur vazhdimisht që të angazhoheni e të veproni sipas Vendimeve të institucioneve përgjegjëse lidhur me situatat që mund të krijohen, sepse fatkeqësisht numri i të prekurve me Covid edhe në Kosovë sa vjen e shtohet. Besojmë se ndonjë mesazh përgëzimi e mbështetjeje i institucioneve të Kosovës do të na jepte kurajë e forcë shtesë për ta realizuar më lehtë misionin e shenjtë për edukimin dhe arsimimin e brezave.
Na priftë e mbara dhe paçim rrjedhë të mbarë gjatë gjithë gjysmëvjetorit të dytë.