Para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka paralajmëruar për një zgjidhje vetëm në dukje në lidhje me luftën në Ukrainë. Scholz kërkoi edhe reformimin e Këshillit të Sigurimit.
Në fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka mbështetur përpjekjet ndërkombëtare për paqe në Ukrainë. “Në të njëtën kohë duhet të kemi kujdes nga zgjidhje vetëm në dukje, që ‘paqen’ e mbajnë vetëm në emër”, tha Scholz. Sepse “paqja pa liri do të thotë nënshtrim”. “Paqja pa drejtësi do të thotë diktat. Këtë më në fund duhet ta kuptojë edhe Moska.”
Kancelari gjerman kërkoi nga presidenti Putin edhe njëherë, t’i japë fund luftës. “Mos harroni: Rusia është përgjegjëse për këtë luftë. Dhe është presidenti rus, që në çdo kohë mund ta ndalë atë vetëm me një urdhër.”
Reformim i Këshillit të Sigurimit
Scholz tha se ukrainaset e ukrainasit “luftojnë për jetën e lirinë e tyre tyre, për pavarësinë dhe integritetin territorial të vendit, për të ruajtur parimet të cilave u detyrohemi të gjithë.” Lufta në Ukrainë nuk ka sjellë vuajtje të mëdha vetëm në Ukrainë, shtoi Scholz. “Nën inflacionin, rritjen e borxheve, mungesën e plehrave kimikë, urinë dhe rritjen e varfërisë vuajnë qytetare e qytetarë në të gjithë botën.”
Në fjalimin e tij Scholz u shpreh edhe për reformimin e Këshillit të Sigurimit. Përbërja e kësaj instance me SHBA, Rusinë, Kinën, Francën dhe Britaninë e Madhe, pesë anëtarë të përhershëm është jashtë kohe. “Afrika meriton më shumë peshë, po ashtu edhe Azia dhe Amerika Jugore.” Scholz nuk përmendi shprehimisht dëshirën e Gjermanisë për një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit, por përmendi kandidaturën e Gjermanisë për një vend dy vjeçar jo të përhershëm në vitet 2027/2028. Ndërsa Biden në fjalimin e tij para OKB-së, një apel i fortë për multilateralizmin, bëri thirrje që të dënojnë sulmin kundër Ukrainës edhe për të mbrojtur veten.