Të paktën 20 persona janë vrarë nga sulmet ajrore në një treg të Sirisë të hënën gjatë një sulmi në një qytet të kontrolluar nga rebelët në pjesën veriperëndimore të vendit të shkatërruar nga lufta.
Sulmet e kryera nga aeroplanët luftarakë sirianë ose rusë e kishin për cak qytetin Maarat al-Numan, i cili është i banuar dendësisht në jug të provincës së Idlib-it, duke shkaktuar, përveç viktimave, edhe shumë dëme materiale.
“Trupat kanë mbetur rrugëve. Zoti u hakmarrtë ndaj Putinit dhe Assadit për krimet e tyre”, tha Abdul Rahman al-Yasser, anëtar i ekipeve të shpëtimit përderisa po kërkonte trupa të tjerë nën rrënoja.
Tregjet me shumë njerëz dhe zonat e banuara kanë qenë shpesh cak i sulmeve nga forcat siriane dhe ruse që nga fundi i muajit prill. Anëtarët e ekipeve të shpëtimit kanë thënë se qindra njerëz janë vrarë nga sulmet në zonat e banuara nga civilët.
Banorët e vendeve të goditura nga sulmet thanë se bombardimet e vazhdueshme e kanë nxitur një valë të re të shpërnguljes së popullsisë drejt rajoneve që janë relativisht më të sigurtë, në zonën kufitare me Turqinë.
Organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, “Human Rights Ëatch”, tha muajin e kaluar se në operacionet e ushtrive siriane dhe ruse kundër civilëve janë përdorur armë të ndaluara me ligje ndërkombëtare, shkruan “Reuters”.