Së paku 36 të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza, thonë zyrtarët

Prishtinë | 28 Kor 2025 | 13:23 | Nga Ekonomia Online

Sulmet izraelite lanë të vrarë të paktën 36 palestinezë në disa pjesë të Gazës të hënën, thanë zyrtarët shëndetësorë lokalë, një ditë pasi Izraeli i lehtësoi kufizimet përballë një krize humanitare që po përkeqësohej në enklavë.

Në mesin e të vdekurve ishte një i porsalindur që u lind përmes një operacioni të ndërlikuar, pasi nëna e tij, e cila ishte në muajin e shtatë të shtatzënisë, u vra nga një sulm, sipas spitalit “Naser”, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Izraeli njoftoi të dielën se ushtria do t’i pauzonte operacionet në Qytetin Gaza, Deir al-Balah dhe Muwasi për dhjetë orë në ditë deri në një njoftim të ri për ta lejuar qarkullimin e përmirësuar të ndihmave te palestinezët, ku është shtuar shqetësimi për urinë, dhe do të caktojë rrugë të sigurta për dërgimin e ndihmave.

Izraeli tha se do t’i vazhdonte operacionet ushtarake krahas masave të reja humanitare. Ushtria izraelite nuk pati koment të menjëhershëm për sulmet e fundit, të cilat ndodhën jashtë kornizës kohore të pauzës së shpallur nga Izraeli – nga ora 10 e paradites deri në orën 8 të mbrëmjes.

Agjencitë e ndihmave i mirëpritën masat e reja për ndihmat, në të cilat përfshihet edhe hedhja e pakove nga ajri në Gaza, por thanë se ato nuk ishin të mjaftueshme për ta luftuar urinë në rritje në territorin palestinez.

Pamjet e fëmijëve thatanikë kanë nxitur zemërim në pjesë të ndryshme të botës, përfshirë aleatët e ngushtë të Izraelit. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i quajti “të tmerrshme” pamjet e fëmijëve thatanikë e të kequshqyer në Gaza.

Të ngjashme