Grupi punues për hartimin e Protokollit për përdorimin e plazmës kovaleshente te pacientët me COVID-19 ka përgatitur një udhëzues për aplikimin e plazmës së gjakut të të shëruarve nga koronavirusi në të sëmurët nga ky virus.
Kështu ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë për KOHËN.
Ky udhëzues sipas këtij dikasteri pritet të nënshkruhet shpejt edhe nga ministri.
“Udhëzuesi që do të jetë pjesë e Udhërrëfyesit për menaxhimin klinik të COVID-19 (të përditësuar) dhe i cili pritet të nënshkruhet shpejt nga MSH, sapo grupi për hartimin e udhëzuesit ta ketë dorëzuar formën finale të dokumentit”, ka thënë zëdhënësi i MSH-së, Faik Hoti.
Pacientët, të cilët janë shëruar nga COVID-19 krijojnë antitrupa në gjakun e tyre, të cilët gjenden në plazmën e cila mund të përdoret te një person i infektuar.
Transfuzioni i këtyre antitrupave krijon atë që njihet si imuniteti pasiv te të sëmurit nga COVID-19.