Komunën e Prishtinës e vizitoi sot një delegacion i Bashkisë së Tiranës, i udhëhequr nga kryebashkiaku Erion Veliaj. Ata u pritën nga kryetari Shpend Ahmeti, dhe përfaqësues të tjerë të Komunës së Prishtinës.
Në këtë takim të parë të kësaj vizite dyditore, u diskutuan për projekte të përbashkëta si dhe u shkëmbyen përvoja nga të dy qytetet, meqë edhe problemet janë të ngjashme.
Ahmeti dhe Veliaj diskutuan edhe për konkretizimin e unionit të bashkive/komunave kryesore shqiptare në rajon.
“Bashkimi është një jetë më e mirë e qytetarëve, lëvizja e lirë, mundësia për një jetë më mirë”, ka thënë Veliaj.
“Kemi marrë një vendim që do ta konkretizojmë për një Union të Bashkive Shqiptare, pra më 28 nëntor ne do të kemi një takim bashkë me kryetarët e vendeve nga Tetova, Medvegja e Bujanoci në Tiranë”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.
Ndërsa, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti theksoi se këto takime po bëhen për shkëmbim përvojash në mes dy kryeqyteteve.
“Këto takime po bëhen për shkak të shkëmbimit të përvojave në mes dy kryeqyteteve shqiptare, po behet shkëmbim përvojash në infrastrukturë, në arsim dhe gjëra konkrete, dhe problemeve që po i kalojnë dy kryeqytetet shqiptare dhe të ideve”, ka thënë Ahmeti.
Ata u dakorduan që në fundjavën para Ditës së Pavarësisë, në datat 26 dhe 27 nëntor, të takohen në Tiranë me kryetarët e komunave si Tetova, Presheva e Ulqini, ku do të diskutojnë për tema konkrete që prekin direkt mënyrën e jetesës së qytetarëve nëpër këto komuna.
Delegacioni nga Bashkia e Tiranës do të qëndrojë për dy ditë në Prishtinë, ku do të merr pjesë nëpër aktivitete të ndryshme të kësaj komune, si dhe do të zhvillojë takime me drejtori të caktuara për të forcuar edhe më tepër bashkëpunimin në fusha konkrete.
Gjithashtu, Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI), kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliajt do t’i ndajë “Çmimin për Demokraci Lokale”.
Në këtë ngjarje përveç ceremonisë së ndarjes së çmimit, instituti KLGI do të prezantoi hapësirat multi-funksionale të trajnimeve dhe programet e reja në fushën e qeverisjes lokale.
LEXO EDHE:
http://cs13.temp.domains/~ekonomia/nacionale/erion-veliaj-arrin-ne-prishtine-pritet-nga-shpend-ahmeti/