Sot nga ora 10:00 do të vazhdojë seanca e Kuvendit të Kosovës. Më rend të ditës janë shqyrtimi i pesë projektligjeve dhe i Raportit Vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).
Në seancën e djeshme deputetët debatuan për vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), për shtrenjtimin e rrymës që pritet të merret më 29 janar.
Mirëpo, rezoluta e propozuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që i kërkonte ZRrE-së të mos i pranojë tarifat e propozuara për shtrenjtimin e rrymës, nuk mori përkrahjen e shumicës në Kuvend.
Kjo rezolutë, përmes të cilës AAK po ashtu kërkonte që Qeveria të sjellë sa më parë në Kuvend Projektligjin për Paga mori 22 vota për, 49 abstenime dhe asnjë votë kundër.
Sipas njoftimit të Zyrës për Informim të Kuvendit të Kosovës, në rend dite sot do të jenë këto pika:
– Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-101 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti i Reformës së Sistemit të ndihmës sociale në Kosovë”,
– Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-013 për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës,
– Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-015 për Gjykatën Komerciale,
– Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-057 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 04/ L-089 për Deminim Humanitar,
– Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-023 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-064 për festat zyrtare në Republikën e Kosovës,
– Shqyrtimi i Raportit Vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2020.