Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka bërë të ditur se seanca plenare, e ndërprerë sot, në mungesë të kuorumit, do të vazhdojë të hënën në orën 11:00.
Pas mbledhjes së Kryesisë, Veseli u shpreh i bindur se opozita nuk do të bllokojë seancat më, raporton Ekonomia Online.
“Sot, në seancën plenare, e patëm një bllokadë të pajustifikueshme, kam kërkuar edhe një rrugëtim nga kolegët e opozitës”.
“Shpresoj dhe besoj se do të ketë një mirëkuptim, ideja jonë është që, ligjet që janë në interes të qytetarëve, të kalojnë në Kuvendin e Kosovës dhe të mos kemi bllokada të panevojshme”, theksoi Veseli.
Debati i kërkuar për dialogun nga Partia Social Demokrate, sipas Veselit, do të mbahet, gjithashtu, të hënën në një seancë të re.
“Të hënën do të kemi votimin e projektligjeve që janë në pritje. Besojmë shumë që të hënën do të kemi një situatë shumë më ndryshe dhe në të njëjtën kohë do të kemi debatin për çështjen e dialogut” tha Veseli, raporton Ekonomia Online.