Me akuza e kundërakuza të shumta është zhvilluar seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit për vdekjen e aktivistit të “Vetëvendosjes” në Burgun e Prizrenit. Përderisa Lëvizja “Vetëvendosje” e akuzonte pushtetin për vrasje, mozharanca e kritikonte subjektin më të madh opozitar përfitim politik mbi vdekjen e Deharit.
Ndërsa, pas më shumë se pesë orësh të kaluara me akuza e kundërakuza u miratuan rekomandimet e propozuara nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, përmes të cilave ftohen institucionet përgjegjëse që t’i marrin masat e duhura në kuadër të kompetencave ligjore dhe të mos lënë asnjë pikë dyshimi në këtë rast. Gjithashtu thuhet se familja Dehari, në rast të dyshimeve në ekspertizat e institucioneve përgjegjëse, mund të kërkojë nga Qeveria e Kosovës që të bëjë ekspertiza shtesë edhe jashtë vendit, nga cilido vend i BE-së dhe i SHBA-së që ajo dëshiron. Më këtë rast, Qeveria e Kosovës duhet t’i mbulojë tërësisht shpenzimet për çdo ekspertizë shtesë.
Ndërkohë që rezoluta e shoqërisë civile me mbështetjen e mbi 23 mijë qytetarëve që u prezantua nga “Vetëvendosje” nuk u votua. Në këtë projektrezolutë kërkohej: hetim i pavarura dhe transparent për vrasjen e Astrit Deharit; dorëheqja e ministrave Dhurata Hoxha dhe Skënder Hysenit; dhe fillimin e hetimeve për sigurinë ndaj personave përgjegjës të Burgut.
PDK e LDK: Të mos përfitohet politikisht nga vdekja e Deharit
Shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike, Zenun Pajaziti, ka kërkuar që rasti i Deharit të mos trajtohet politikisht, duke thënë se PDK-ja u beson ekspertëve dhe institucioneve, megjithatë ai ka thënë se janë të gatshëm dhe për një superekspertizë nga institucionet kredibile ndërkombëtare.
“Ne jemi këtu dhe sot i ftoj të gjithë që të jenë sa më korrektë, sa më të bashkuar rreth trajtimit të këtij rasti i cili është shumë i ndjeshëm. Një rast i cili më shumë se gjithçka tjetër na duhet të ndriçohet, të ketë drejtësi, të trajtohet nga institucionet e drejtësisë dhe sa më pak ne këtu ta trajtojmë politikisht ose për më tepër të shfrytëzohet për motive dhe agjenda politike”, ka deklaruar Pajaziti.
Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike, Ismet Beqiri, ka thënë se të gjithë në këtë parti janë të interesuar të dihet e vërteta për vdekjen e Astrit Deharit. Por, sipas Beqirit me këtë rast u abuzua shumë për përfitime politike.
“Gjatë kësaj periudhe kohore konsiderojmë që fatkeqësisht është abuzuar dhe është keqpërdorur ky rast tragjik në forma dhe mënyra të ndryshme. Askush nga ne nuk duhen shfrytëzuar rastet e tilla të rënda, për çfarëdo përfitimi politik… Kjo është totalisht e papranueshme si është bërë në momente të caktuara nga subjekti i ‘Vetëvendosjes’… Ne si LDK kemi kërkuar edhe për shumë raste të tjera të ndodhura ndër vite në rrethana dhe kohë të ndryshme, që çdo vrasje edhe vetëvrasje, humbje jete të shumë veprimtarëve të LDK-së të gjendet e vërteta”, është shprehur Beqiri.
Konjufca: Pushteti e vrau Astritin
Në anën tjetër shefi i Grupit Parlamentar të “Vetëvendosjes”, Glauk Konjufca, ka thënë se Astrit Deharin e vrau pushteti dhe strukturat kriminale të tij.
“Astritin e ka vrarë mungesa e shtetit dhe kjo do të thotë e ka vrarë pushteti. Sepse pushteti në Kosovë e ka zhdukur shtetin. Atë e vrau kjo makineri që strukturat e shtetit të cilat duhet të të mbrojnë, i kthen në struktura kriminale që ta marrin jetën. Fytyra e kësaj makinerie janë tre njerëz këtu në Kosovë. Këta tre njerëz e kanë kthyer shtetin në këtë gjendje: Hashim Thaçi, Isa Mustafa e Kadri Veseli. Kurse argatët e tyre që shpikin provat dhe i montojnë proceset do ta marrin përgjegjësinë edhe ministrja Hoxha, ministri Hyseni, kryepolici Maxhuni, Nexhmi Krasniqi, Fatos Makolli, Abdurrahim Islami e gjithë të tjerët”, është shprehur Konjufca.
Kurse shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë se me këtë rast duhet të merret Byroja Federale e Hetimeve e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (FBI).
“Prejse ka ndodhur ky rast është shndërruar në kauzë të përfitimeve politike nga të gjitha taborët. A është vrasje apo vetëvrasje kjo duhet të vërtetohet deri në fund. Dhe besojmë që më së miri do të ishte të ftohet FBI-ja për ekspertizë”, ka thënë Lekaj.
Hoxha: Duhet t’u besojmë institucioneve
Ndërkaq ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka thënë se janë ndërmarrë të gjitha veprimet për zbardhjen e këtij rasti dhe se është përpjekur që të rezervohet për faktin që të mos ndërhyjë në këtë rast dhe që organet kompetente ta kryejnë punën e pavarur e në mënyrë profesionale.
“Jam thellësisht e shqetësuar për tendencën për t’i paragjykuar rrethanat e rastit dhe rezultatin… Konsideroj që t’u besojmë institucioneve tona është më e pakta. Konsideroj që këtë ia kemi borxh dhe të ndjerit Astrit Dehari. Ju garantoj që Ministria ka bërë çdo gjë për të siguruar transparencë të plotë për zbardhjen e rastit… Çdo ndërhyrje e imja apo e MD-së pas kalimit të rastit te Prokuroria është një ndërhyrje në pavarësinë e këtij institucioni”, ka deklaruar ajo.
Por ndaj ministres Hoxha ka reaguar deputetja e “Vetëvendosjes”, Albulena Haxhiu, duke kërkuar dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, dhe atij të Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni.
Selimi: Kosova nuk ka pasur pushtet më të poshtër
Deputeti i “Vetëvendosjes”, Rexhep Selimi, i quajti hipokritë deputetët e mazhorancës. Madje Selimi e ka quajtur pushtetin aktual si më të poshtrin në historinë e Kosovës së lirë.
“Nuk mund ta bëjmë siç kërkon PDK-ja që të bisedojmë pa dallim. Jo nuk mund të bisedojmë pa dallim. Sepse ne dallojmë shumë dhe kjo është e mirë që ne dallojmë shumë. Por një çudi më vjen nga LDK-ja që në këtë rast kthehet në avokat besnik të klanit ‘Pronto’ në këtë temë… Kosova pas luftës ka pasur pushtete herë më të dobëta, herë më të mira e herë me të këqija, por pushtet më të poshtër kurrë Kosova s’ka pasur. Deri aty shkon poshtërsia, saqë akuzon të vdekurin. E sillni në bankën e të akuzuarit të vdekurin, kur ju thoni se ai paska kryer akt terrorist, apo duhet të vijë drejtësia për atë çfarë akuzohet”, është shprehur Selimi.
Të menjëhershme kanë qenë reagimet e deputetëve, Zenun Pajaziti e Ismet Beqiri. Pajaziti ka kërkuar nga Selimi të mos e keqpërdorë tendencën e tyre për të qenë korrekt.
Kurse Ismet Beqiri i ka thënë Selimit se LDK-ja asnjëherë nuk i ka politizuar vrasjet e veprimtarëve të LDK-së. Por, Selimi i është përgjigjur Beqirit duke i thënë se edhe vrasjet e veprimtarëve të LDK-së do të mundë të zbardheshin, porse deputetët e kësaj partie nuk po pranojnë të formohet një komision hetimor për punën e Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK). Kështu, Selimi i ka kërkuar Beqirit që ta japë nënshkrimin për formimin e këtij komisioni. Megjithatë, Beqiri ka thënë se kjo është vetëm demagogji, pasi, sipas tij, ky komision nuk mund t’i zbardhë vrasjet politike të pasluftës.
Kurti: Janë dy motive për vrasjen e Astritit
Ndërsa ish-kryetari i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, ka thënë se politizimin e këtij rasti e ka bërë sistemi shtetëror në Kosovë, pasi që ka arrestuar gjashtë aktivistë për “Terrorizëm” pa pasur prova e fakte. Ai madje ka thënë se dy janë motivet e mundshme për vrasjen siç e quan ai të Astrit Deharit.
“Dy motive të mundshme të regjimit për atë që i ka ndodhur Astritit. I pari është që ka kolapsuar procesi. A di çka do të thotë që 6 të rinj t’i akuzosh për ‘Terrorizëm’ e emrat e tyre tua futesh në listën e të akuzuarve për terrorizëm në botë… Qëllimi është të thuhet se po luftohet terrorizmi dhe kush akuzohet për terrorizëm – ‘Vetëvendosja’. Dhe kur u kolapsojë procesi tash duhet bërë diçka… Dhe motivi i dytë është se kanë hequr dorë prej neve, që jemi brezi i mesëm të cilët jemi këtu. Kanë filluar ta sulmojnë brezin e ri, patriotëve të rinj të këtij shekulli. Prej meje kanë hequr dorë. Jam bërë aktivist veteran”, është shprehur Kurti.