Ish-kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu, ka kritikuar procesin zgjedhor të kësaj partie. Tutje, Sejdiu shprehu keqardhje për dorëheqjen e Isa Mustafës, ndërsa për Vjosa Osmanin tha se është një mungesë për LDK-në, raporton Ekonomia Online.
“Nuk janë respektuar rregullat statustore që ka LDK-ja. Po bëhen dy vjet në verë që LDK ka pasur një proces zgjedhor, ka zgjedhur kryetarin e saj, dhe nuk ka lejuar një proces të votimit të fshehtë të kandidatëve, kjo nga frika e rezultatit për votat e fshehta. Ne kemi statusin që ia ka zënë frymën LDK-së dhe e ka degjeneruar, sidomos në proceset zgjedhore. Kanë dërguar lista kush do të jetë delegatë nën degë dhe në Kuvend. LDK ecjen e saj do të duhej ta zhvillonte në bazë të një procesi zgjedhor ferr që do të zhvillohej”, ka deklaruar ai.
Sejdiu ka treguar edhe për propozimet që i ka dhënë sot në Kuvendin Zgjedhor.
“Unë kërkova që të futet në rend ndërtimi i një trupi punues që do të merrej me hartimin e dokumenteve bazike, dhe me atë pjesë të dokumenteve të rëndësishme, duke filluar nga një deklaratë politike në të cilën do të shpreheshin qëllimet programore, e trupi të merrej me çështjet e statusit të LDK. Unë janarin e vitit 2021, saktësisht më 30 janar, 11 faqe tekst i kam dorëzuar pas debatit që kam pasur për ndryshimet në status”, ka shtuar ai.
“Janë shumë elemnte që kanë ndikuar, Vjosa ka pas një marrëveshje për të qenë kryeministre nuk ka ndodhur ajo dhe ka zgjedhur rrugë tjeter, secili anëtar që largohet është një mungesë për LDK-në”, tha Sejdiu kur u pyet për largimin e Vjosa Osmanit.
Ndërsa për dorëheqjen që Isa Mustafa dorëzoi para delegatëve të Kuvendit Zgjedhor, Sejdiu shprehu keqardhje për këtë veprim.
“Më vjen keq që për shkak të rezultateve të dobëta të tërhiqet”, tha ai.