Edhe 13 mjekë morën Certifikata Etike, që nevojitet për punësim jashtë Kosovës

Prishtinë | 27 Jan 2023 | 08:19 | Nga Lirigzona Nuredini Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Sistemi publik shëndetësor po braktiset nga mjekët, shkaku i pagave dhe kushteve jo të mira, thotë kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës (OMK), Pleurat Sejdiu.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Sejdiu ka treguar se vetëm në tri javët e para të vitit 2023, 13 mjekë morën Certifikatat e të Kaluarës Etike, e cila iu shërben mjekëve për punësim jashtë vendit.

Kjo certfikatë nuk nevojitet për punësim në klinikat dhe spitalet e tjera në Kosovë, jashtë QKUK-së.

Sejdiu thotë se arsye për ikjen e mjekëve dhe punonjësve të tjerë shëndetësorë nga sistemi publik, janë të shumta, duke filluar nga paga e ultë e deri te kushtet e punës.

Sipas tij, kompensimi jo i duhur financiar, është arsyeja që sistemi publik po braktiset nga mjekët.

Sejdiu ka folur edhe për koeficientin e caktuar nga Qeveria, me ç’rast thotë se mjekët janë të kënaqur.

“Nuk është e gjithë çështja te koeficienti, se të gjithë janë koncentruar në shumën e koeficientit. Ne problemin e shohim në pjesë tjetër të ligjit. Tek pjesa narrative, te shtesat, tek pagesat e kujdestarive aty është problemi më i madh që duhet të reflekton me problemin e punëve të përditshme të mjekut, por edhe të punëtorëve tjerë shëndetësorë. Aty shumë pak janë të fokusuar”, tha Sejdiu.

“Ne si mjekë mund ta konsiderojmë se jemi renditur mirë, e pranueshme se sa do të jetë koeficienti ajo është e Qeverisë, por se 1 nga 3 arsyet që mjekët janë duke e lëshuar Kosovën, mjekët janë duke e lëshuar sistemin publik kah privati është pikërisht edhe kompensimi financiar”, thotë Sejdiu.

Arsye e dytë që sistemi publik shëndetësor po braktiset nga mjekët, janë dhe kushtet e punës.

“Sektori privat do t’i tërheqë, sepse nuk është njëjtë të paguhen mjeku specialist me një rrogë 1200 euro siç flitet do të thotë nëse shkon 100, 110 në 1300 euro sikur në sektorin privat që i merr minimum 2500 deri në 3000 euro”, thotë ai.

“Dallimin e bën prapë e bën për kushtet e punës, nëse kushtet e punës rregullohen paga edhe më e ulët se e sektorit privat do të bënte që mjekët të qëndrojnë, por kushtet e punës edhe ndërlidhja me pagën ato çka do të duhej të sigurojnë një jetë dinjitoze janë ato determinante çka do të bëhet suksesin apo dështimin e sektorit publik”, thotë Sejdiu për EO.

Të ngjashme