Projekt buxhetin e shtetit, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate, Dardan Sejdiu, e ka cilësuar si atë të para 18 vjetëve, raporton Ekonomia Online.
“Duhet të dalim me një koncept tjetër ekonomik e që është zhvillimor. Në një situatë siç jemi sot, ku kemi një taksë 100 për qind për importin nga Serbia, krijohet një treg i mirë për përpunuesit e ushqimit në Kosovë që të ndërtojnë fabrika të reja. Do ishte e pasinqertë të themi tash qe e votojmë këtë buxhet. Ky buxhet për mua për momentin siç është nuk paraqet asnjë ndryshim prej 18 viteve të fundit”, u shpreh Sejdiu.
Sipas tij, koha e trajnimit infrastrukturor të ekonomisë duhet të përfundojë.
“Jemi në fazën e diskutimeve, buxheti si i tillë ka telashe të jashtë zakonshme, diku 465 milionë euro apo mbi 20 për qind e shpenzimeve të parapara në buxhet të shkojnë për skema sociale dhe pensione në një vend ku vetëm 7 për qind e popullsisë është në moshë e pensionimit”, tha Sejdiu.
Sipas Sejdiut, pabarazia në tregti tash e 18 vite është mbajtur e heshtur nga ne, nuk i kemi shpejguar miqve tanë ndërkombëtarë çfarë po ndodhë në sferën ekonomike, sociale, tregtare.
“Një vendim i joni për një taksë ka alarmuar miqtë tanë, por ky alarmim nuk do ndodhte nëse punët do jenin të shpjeguara mirë e mbarë”, u shpreh shefi GP të PSD-së.
Ndërsa për deklaratat rreth krijimit të ushtrisë ai ka thënë se miqtë ndërkombëtarë gjithmonë kanë qenë pro krijimit ndërsa ka vlerësuar të çuditshëm deklaratën e Stoltenberg.
“Mua më shumë më shqetëson një situatë, fakti se si që 18 vjet nuk kemi ushtri dhe jo gjithë herë ka ndodhë se miqtë tanë ndërkombëtarë na kanë thënë jo por pak edhe prej pa zotësinë për të marrë vendime që ndonjëherë mund të duken të vështira. Kosova i ka 18 vite që është çlirua, ka ardh koha me matur, të marrë vendime vete dhe duke u mundu në koherencë me miqtë tanë por edhe ne kemi nevojë të ecim me këmbët tona”, tha Sejdiu në seancën e Kuvendit të Kosovës.