Sejdiu: Qeveria po emëron një ekip negociator i cili i nënshtrohet presidentit

Prishtinë | 03 Sht 2018 | 20:52 | Nga Besiana Dauti

Shefi i grupit parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu, e ka vlerësuar të pakuptimtë ftesën e kryeministrit Ramush Haradinaj për një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, për t’ia dhënë “vizën” Ekipit Negociator të Kosovës, me në krye Fatmir Limajn.

Sejdiu, i cili foli pas mbledhjes së Kryesisë e cila caktoi që të martën në orën 9 të diskutohet Propozim-vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e Ekipit Negociator për Normalizimin e Marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, tha se vetëm 1 orë më vonë është paraparë të diskutohet për të njëjtën çështje.

Ai tha se PSD do të vendosë a do të marrë pjesë në seancën e orës 9:00. “Do të bisedojmë me deputetët, por nuk ka kuptim që të vijmë në ora 9, kur në ora 10 kemi mbledhje për temën e njëjtë”, tha Sejdiu për gazetarët.
“Sot paradite e patëm një thirrje të Kryesisë së Kuvendit me të cilën u dakorduam për një seancë nesër që ka të bëjë me çështjen e dialogut dhe temës të aq përfolur nga presidenti i shkëmbimit të mundshëm dhe ndryshimit të mundshëm të këtyre kufijve. Ky është edhe një hap që siç duket po e çon këtë Republikë drejt një situate që në vend se ta ndërtojmë një konsensus, po mëtojmë të ndërtojmë ndarje edhe më të mëdha për të ruajtur pozitën e pushtetit”.

“Fatkeqësisht, Qeveria sot në krye me këtë kryeministër ka bërë ftesë që me asnjë konsultë me parlamentin të emërojë një ekip negociator i cili i nënshtrohet presidentit. Dmth në vend se të punojmë në ndërtimin e një koncensusi nacional – e Kuvendi është ai ku ndërtohet ky koncensus – po ndërtohet një ekip nga qeveria me iu nënshtru presidentit dhe në vend të debatit po përfundojmë në vendime të cilat nuk shpërfaqin asnjë lloj përgatitje adekuate të një platforme e cila i duhet kësaj Republike”, tha Sejdiu.

“Në vend të një procesi të mirëfilltë të ndërtimit të një konsensusi rreth një platforme, e më pastaj të flasim përsëri për një ekip i cili do të kishte 2/3 të votave, kryeministri Haradinaj na ka ftuar sonte që nesër të mbajmë mbledhje të Kuvendit ndonëse e kishim përcaktuar mbledhjen e Kuvendit për në ora 10, për të na prezantuar një ekip të cilin ai e paska emëruar”, u shpreh Sejdiu.

Ai u ankua se Veseli i kishte mbyllur diskutimet, ani pse ishte vonuar vetëm 7 minuta.

“Kryetari i Kuvendit nuk ka mbledhje që s’vonohet 15 minuta. Sot na ka njoftu 1 orë ma herët, sot erdha 7 minuta me vonesë edhe kur e pashë diskutimet kishin përfunduar”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme