Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.
Ai ka vlerësuar se koalicioni i tanishëm qeverisës PAN, është duke u frikësuar nga një koalicion i mundshëm LDK-VV.
Siç ka shkruar në Facebook Sejdiu, si pasojë e një frike të tillë, koalicioni PAN po investojnë me të madhe që një koalicioni i tillë të mos ndodh në asnjë mënyrë.
”Një send e di sigurtë! PAN-it i ka hi frika në palcë nga mundësia e bllokut politik LDK-VV, dhe po investojnë me të madhe që të mos e lejojnë një koalicion të tillë të shpëtimit”, ka shkruar Sejdiu.
Ndryshe, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj tanimë pritet edhe shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë.
Haradinaj dorëheqje ka dhënë, siç ka thënë “shkaku i një ftese nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale”.
Pas kësaj kanë filluar edhe kalkulimet e partive politike rreth koalicioneve të mundshme në Kosovë.