Sejdiu tregon se sa merr kohë zgjedhja e gjyqtarëve të Kushtetueses

Prishtinë | 23 Maj 2018 | 12:34 | Nga

Gjykata Kushtetuese rrezikon të mbetet jofunksionale pas 15 qershorit, raporton zeri.info.

Kjo pasi që Kuvendi i Kosovës gjatë javës së shkuar dështoi t’i zgjedhë tre gjyqtarët shqiptarë të kësaj gjykate.

Ndërkohë, pas 15 qershorit Kushtetuesja do të mbetet pa kuorum për vendimmarrje, pasi që disa prej gjyqtarëve të saj pritet t’iu skadojë mandati.

Korab Sejdiu, anëtar i Komisionit për Legjislacion ka konsideruar se problemi kryesor i dështimit të zgjedhjes së gjyqtarëve të Kushtetueses ka të bëjë me procedurat që ekzistojnë lidhur me këtë çështje.

“Besoj që problemin kyq e përbëjnë procedurat që janë paraparë për përzgjedhjen e gjyqtarëve, ku kërkohet një numër mjaft i lartë i deputetëve për të votuar për një kandidat të caktuar. Pra, çdo kandidat që pretendon për të qenë anëtar, duhet t’i marrë 2/3 e deputetëve që votojnë, që janë të pranishëm aty dhe që votojnë”, ka deklaruar ai.

Këto procedura pastaj sipas Sejdiut bëjnë që edhe partitë e ndryshme politike t’i kenë interesat e tyre për persona të caktuar.

“Ideja gjithmonë ka qenë që deputetët të vendosin për kandidatët profesionistë, jo në baza partiake, por fatkeqësisht në praktikë kjo nuk ndodh. Rrjedhimisht, ne do të kemi përsëritje të vazhdueshme të skenarëve sikur ai i së premtes, në mungesë të ndonjë marrëveshjeje të gjerë politike, ku do të pajtoheshin partitë që t’ia votojnë njëri-tjetrit kandidatët”, ka shtuar ai.

Si pasojë e dështimit për zgjedhjen e gjyqtarëve, Sejdiu konsideron se Gjykata ngelet pa kuorum pas 15 qershorit, kur edhe pritet t’iu përfundojë mandati disa prej gjyqtarëve. Madje siç ai është shprehur, mund të shkohet deri në vjeshtë derisa të shkohet edhe njëherë në votim për këtë çështje.

“Mandati iu skadon në qershor gjyqtarëve dhe natyrisht me procedurat që duhet përsëritur tani për ta gjeneruar një klasë të re të kadidatëve do të marrë kohë dhe nuk besoj që procedurat do të përfundojnë para vjeshtës, që t’i futemi sërish votimit. Mirëpo, edhe votimi nuk është se do të garantojë përzgjedhjen e gjyqtarëve pa pasur ndonjë marrëveshje politike në mes grupeve të mëdha politike, që secila prej tyre të ketë nga një kandidat të cilin e mbështesin edhe grupet e tjera politike”, ka nënvizuar ai.

Një gjë e tillë sipas deputetit Korab Sejdiu e pezullon funksionalizimin e punës së Gjykatës.

“Kjo e pezullon veprimin funksional të gjykatës, sepse në mungesë të kuorumit ata nuk mund të marrin vendime. Në një botë ideale do të duhej që kuvendi të vepronte në unik në përzgjedhjen e njerëzve që janë më profesionistë dhe më meritorë se të tjerët”, ka theksuar ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme