Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, ka uruar qytetarët e Kosovës për 10-vjetorin e pavarësisë.
Përmes një deklarate, Tillerson ka treguar mbështetjen e SHBA-së për shtetin e Kosovës.
“Në emër të Shteteve të Bashkuara, i uroj Kosovës dhe qytetarëve të saj, 10-vjetorin e pavarësisë, si një komb sovran. Në një dekadë që nga pavarësia, Kosova ka treguar vendosshmëri për t’u bërë një shtet më stabil, demokratik dhe gjithëpërfshirës. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të përkrahin qytetarët e Kosovës, të cilët punojnë në fuqizimin e institucioneve demokratike e multientike, në rritjen ekonomike si dhe në forcimin e sundimit të ligjit, në rrugën drejt integrimit të plotë në bashkësinë ndërkombëtare, ka thënë Tillerson.
“U uroj qytetarëve të Kosovës një të ardhme të mbushur me paqe dhe prosperitet”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e sekretarit Tillerson.
Gjatë ditës së sotme janë paralajmëruar një varg aktivitetesh për shënimin e pavarësisë së shtetit.
Ditë më parë edhe presidenti amerikan, Donald Trump ka uruar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi për 10-vjetorin e pavarësisë.