Sekretari i Ministrisë së Integrimit Evropian, Kushtrim Cukaj, ka reaguar pas raportimit të KTV-së për konkursin e jashtëm të hapur për 5 pozita në këtë ministri.
Në një reagim të tij, me shumë gabime gjuhësore, Cukaj i ka quajtur të pavërteta dhe shpifje se ky konkurs është i kundërligjshëm.
“Vetem kjo eshte e verteta, te tjerat jane shpifje dhe te gerrditshme, Por gjithashtu eshte e dhimbshme te behen pjes e kesaj fushate edhe perfaqesues te bashkesis nderkombetare ne Kosove( pra te bien pre e genjeshtrave dhe keqinformimit politikisht te motivuar) MIE- ne do vazhdoj dhe punoj fuqishem ne rrugen e Integrimit Evropian dhe bazuar ne legjislacionin e RKS-ës, si dhe respektimin e marreveshjeve nderkombrtare”, ka shkruar Cukaj (citat i pandryshuar), raporton KTV.
KTV-ja ka kontaktuar të hënën e kësaj jave me Zyrën e Sekretarit Kushtrim Cukaj, por nuk ka dhënë asnjë përgjigje lidhur me interesimin e televizionit për këtë konkurs. Por, Cukaj ka zgjedhur Facebook-un për ta quajtur shpifje raportimin për këtë konkurs.
Sekretari i MIE-së, Cukaj, reagimet e BE-së dhe të ambasadorit britanik Ruairi O’Connell i ka quajtur, siç ka shkruar, “pjesë të fushatës së gënjeshtrave dhe keqinformimit politikisht të motivuar”.