Sekretari i PDK-së kritikon Kurtin për bllokim të buxhetit: Atij mund t’i lakmojë edhe diktatori i Koresë së Veriut

Prishtinë | 01 Sht 2022 | 12:10 | Nga Ekonomia Online

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti t’ua sqaroj qytetarëve të Kosovës se përse po e mban të bllokuar buxhetin e shtetit.

Përmes një postimi në Facebook, Gjoshi e ka cilësuar Albin Kurtin si diktator duke thënë se pas vendimit për ndaljen e pagave për mësimdhësit grevistë, atij mund t’i lakmojë edhe diktatori i Koresë së Veriut.

“Albin Kurti dhe Vetëvendosje, premtojshin me entuziazëm se do ta kthejnë trurin në Kosovë për ta zhvilluar vendin tonë, por sot as fëmijëve të klasës së parë nuk po ua mundësojnë ta fillojnë mbarë rrugën e zhvillimit. “1 shtatori” është dita simbolike që tregon se qytetarët e Kosovës janë mashtruar rëndë nga këta politikanë që marrin guximin t’ua ndalin pagën arsimtarëve të këtij vendi. Albin Kurtit mund t’i lakmojë edhe diktatori i Koresë së Veriut”, shkruan Gjoshi.

Ai më tutje ka thënë se kjo qeveri e paaftë po e bllokon arsimin dhe secilën fushë në Kosovë.

“Të padijshmit dhe të paaftit, Albin Kurti dhe ministrat e tij, pasi që e kanë bllokuar buxhetin e shtetit dhe po e mbajnë në sirtare sikur të ishte buxhet i shtëpive të tyre, këta njerëz po e bllokojnë edhe arsimin në Kosovë e çdo fushë tjetër. Albin Kurti dhe Hekuran Murati duhet t’ua sqarojnë qytetarëve të Kosovës se përse po e mbajnë të bllokuar buxhetin e shtetit? A janë duke i ruajtur ato para që t’i përdorë sekseri i tyre Martin Berishaj për marrëveshje me GEN-in e Serbisë?”, shkruan Gjoshi.

Të ngjashme