Energjetika në Kosovë e rajon ballafaqohet me korrupsion

Prishtinë | 09 Gus 2016 | 19:08 | Nga

Në një debat të organizuar në Edicionin e XV të Dokufest, Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) mblodhi njohës të çështjeve të energjisë nga vende të ndryshme të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar rreth Korrupsionit në Sektorin e energjisë. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë përballur me shumë sfida për të pasur energji të qëndrueshme dhe të përballueshme për qytetarët e tyre. Mirëpo, njëra nga pengesat kryesore vazhdon të jetë korrupsioni, i cili është duke e mbajtur sektorin të paqëndrueshëm dhe të pazhvilluar.

Rinora Gojani, nga KOSID, u shpreh se investimet në kapacitetet e reja duhet të shikohen si masa të domosdoshme për sigurinë energjetike të vendit. “Diversifikimi i burimeve energjetike në Kosovë duhet të shikohet si masë adekuate për zhvillimin ekonomik. Aktualisht, Qeveria e Kosovës nuk posedon një strategji valide të energjisë dhe për më tepër mungon ideja për strategji zhvillimore të qëndrueshme për këtë sektor nga shteti. Kosova ka nevojë për hapjen e tregut të sektorit të energjisë që bënë rritjen e konkurrueshmërisë e cila eliminon monopolin dhe potencialisht eliminon aferat korruptive,” tha Gojani.

Përfaqesuesi nga Serbia, Mirko Popovic, tha se energjia me bazë fosile nuk është e ardhmja e sektorit të energjisë të shteteve të Bashkimit Evropian, andaj e njëjta gjë duhet të vlejë edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor. “Keqpërdorimi i institucioneve dhe fondeve publike për investime në sektorin e energjisë, është duke penguar ndryshimin e modelit të prodhimit të energjisë në Serbi e gjithashtu edhe në vendet e tjera të rajonit. Prodhimi i energjisë elektrike nga linjiti, ka krijuar një rreth vicioz i cili përveç se mbërthen në vete dëme në mjedis dhe në shëndet, po ofron mundësi për zhvillimin e një tregu të udhëhequr nga monopoli shtetëror. Andaj, zgjidhja për këto probleme është zhvillimi i rrjeteve të energjisë në mes vendeve të rajonit, jetësimi i projekteve për prodhimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme, si dhe respektimi i normave dhe standarteve të nënshkruara me Traktatin e Komunitetit të Energjisë,” tha Popovic.

Leila Bicakcic nga Bosnia dhe Hercegovina, u shpreh se edhe pse Bosnia është e pasur me shumëllojllojshmëri të burimeve për prodhimin e energjisë elektrike, kjo nuk paraqet zgjidhje për ndalimin e praktikave korruptive që janë aktuale në vend. “Fatkeqësisht, si shume vende të Ballkanit Perëndimor, Bosnia posedon një nivel të lartë të shkallës së varfërisë, andaj, zyrtarët shtetëror dhe akterët e tjerë relevant, janë duke fshehur marrëveshjet korruptive në sektorin e energjisë, me pretekstin se do të ofrojnë mundësi punësimi për qytetarët e tyre. Kjo jo vetëm se shkakton dëme në ekonominë e vendit si tërësi, mirëpo lejon edhe shfrytëzimin joadekuat të burimeve të energjisë. Mbi të gjitha, duke pasur parasysh dominimin politik, vetëm sundimi i rreptë i ligjit mund të ofroj zgjidhje për problemet e korrupsionit në tërë rajonin,” tha Biakcic.

Përderisa, përfaqësuesi nga Shqipëria, Gjergj Erebara, tha se Shqipëria është e pasur me prodhimin e energjisë nga Hidrocentralet, mirëpo kjo domosdoshmërisht nuk është lajm i mirë. “Asnjë sektor në Shqipëri nuk posedon më së shumti të hyra për investime sesa sektori i energjisë, mirëpo ende paraqiten ballafaqime dhe probleme të ndryshme me thelb korruptiv. Çështja aktuale e cila po zbulon praktikat korruptive në vend është ndërtimi i Hidrocentralit në Vlorë 5 vite më parë, që ende nuk ka hyrë në operim, kurse taksapaguesit vazhdojnë të paguajnë për ndërtimin e tij. Si zgjidhje të këtyre problemeve, shoh ofrimin e mundësive për të blerë energji të pastër nga prodhues të ndryshëm, ku dhe çdo qytetar do ta kishte mundësinë që të prodhojë energji elektrike nga panelat e vendosura në çatitë e tyre, përderisa tepricën ta shesin në rrjet. Kjo ofron një solucion për zhdukjen e monopolit si dhe integrimin në një tregu të zgjeruar, pasi që do të ketë miliona prodhues dhe miliona konsumues,” u shpreh Erebara.

Udhëheqësi i këtij debati, Haki Abazi tha se edhe pse energjia përbën një fushë specifike, ajo është ndër-sektoriale dhe ndërlidh shtetin me akterë të ndryshëm relevant, andaj transparenca ndaj zhvillimeve në këtë sektor, është çelësi i problemeve aktuale. Tryeza u përcoll me diskutim nga të pranishmit, duke konkluduar se investimet dhe projektet në sektorin e energjisë në gjithë rajonin janë shënuar nga afera të shumta korruptive të cilat kanë rezultuar në një kosto shumë të lartë në dëm të qytetarëve, si dhe në raste, kanë larguar investitorë serioz të fushës së energjisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme