Sekuestrohet 2.2 tonë kokainë në Kolumbi, droga do të shpërndahej në vendet e BE-së dhe Shqipëri

Prishtinë | 31 Tet 2021 | 14:09 | Nga Ekonomia Online

Policia kolumbiane ka arritur të konfiskojë në portin turistik të Cartagena de Indias, në veri të Kolumbisë 2,279 kilogramë kokainë.

Agjentët e gjetën drogën të fshehur në pako, brenda një kontejneri që po shkonte në qytetin holandez të Roterdamit.

Alarmet u shkaktuan për shkak të një sërë parregullsish në dokumentacionin e mallit përpara se të dërgohej.

Falë kësaj dhe një skaneri që më pas kontrolloi kontejnerin, policia zbuloi pakot e kokainës.

Konfiskimi i kokainës i ka shkaktuar një humbje afro 100 milionë dollarë trafikantëve të drogës.

“Kjo drogë mund të shpërndahej në tregjet e Turqisë, Spanjës, Italisë dhe Shqipërisë”, thotë Ricardo Alarcón, drejtor i Njësisë Kundër Drogës.

Deri më tani, gjatë 2021 autoritetet kolumbiane kanë sekuestruar më shumë se 302 tonë drogë. /Ora News

Të ngjashme