Kryetari i partisë Aleanca për Shqiptarët në Maqedoni, Zijadin Sela, ka shkruar një shkrim në profilin e tij zyrtar në Facebook, që ia ka dedikuar Abdulfeta Alimit.
Alimi është ish-anëtar i sigurisë së Kuvendit dhe u dënua me 7 vjet burg lidhur me rastin e dhunës së 27 prillit të 2017 në Kuvend. Ai ishte personi që kishte shpëtuar kryetarin dhe deputetin e ASH, Ziadin Sela natën e përgjakshme në Kuvend.
Sela në facebook ka shkruar se “Në një ndejë me Fetain më pat thënë: “Nuk shqetësohem shumë për dënimin sa shqetësohem për faktin qê po më fusin në një thes me kriminelët…”.
“Miku im, krimi yt i vetëm është se fëmijët e mi akoma kanë mundësinë tê thërrasin babanë e tyre dhe unë t’iu përgjigjem. Ti bëre “mëkatin” e ruajtjes së jetës. Ti je në burg sepse un jam gjallë, prandaj ti s’ka se si të jesh si ata që më deshën të vdekur. Si ata që sot janë të lirë por me duar e me këmbë të zhytur në krim. Po po janë të lirë, biles edhe me pozicione qeveritare. Nqs dikush nëpërmjet dënimit tënd do të tregoj simbolikën se regjimi i kaluar kishte dy komponentë edhe maqedon edhe shqiptar, ti nuk je kjo simbolikë. Ti je simbolika e shqiptarit të zakonshëm që e don jetën, që e don lirinë. Ti je simbolika e shqiptarit që i montohen akoma procese politike. Je simbolika e gjyqësisë së politizuar dhe me dy standarde. Simbolika e regjimit të kaluar s’mund te jetë Fetai por është Aliu me Nikollën. Ti dhe dënimi yt sot po që jeni simbolika e regjimit të tanishem të Aliut dhe Zoranit”, ka shkruar Sela.
Sela, tutje ka shkruar “P.S. E rëndë sot dita Feta! Më mirë kurrë mos i kisha hapur sytë në mbrëmjen e 27 prillit sesa të jetoj këtë turp. Po, ti je fajtor. Ke fajin që un sot ndihem me fajin e pafuqise për të të ndihmuar. Ke fajin që jam gjallë”.