Ministri i Drejtësisë së Republikës së Kosovës, Selim Selimi, në një konferencë për media bashkë më avokatët shtetëror të Kosovës ka njoftuar për rastet që Kosova i ka fituar nëpër gjykata e ku i janë shpëtuar shtetit miliona euro.
Megjithatë Selimi ka treguar se aktualisht Kosova nëpër arbitrazhe i ka të rrezikuara 300 milionë euro dhe se kanë angazhuar edhe kompania të huaja për mbrojtje.
“Tani kemi pranuar Aktgjykimin nga departamenti ekonomik, ku është fituar një kontest në vlerë 1.8 milion euro, lëndë e përfaqësuar nga Avokate Ilire Tasholli Aydogan. Duke ditur se Avokatura Shtetërore përfaqëson edhe kontestet gjyqësore në Gjykatat Ndërkombëtare, që rast konkret kemi kontestin në Gjykatën e Vjenës , përfaqësuar nga Avokat Arsim Zuka rast i fituar me një vlerë monetare prej 1 milion euro”, tha ministri Selimi.Ministri Selimi tha se falë një pune intensive, institucioni i Avokatura Shtetërore po arrin të jetë i suksesshëm në mbrojtjen e buxhetit të Republikës së Kosovës.“Prioritetet e mija si ministër i Drejtësisë me çka synoj që ta kemi një sistem të qëndrueshëm funksional dhe të pavarur në përfaqësimin e autoriteteve publike të Republikës së Kosovës, në procedurat gjyqësore, administrative si dhe në arbitrazh”, deklaroi ministri Selimi. Ndërsa Avokati i Përgjithshëm Shtetëror, Sami Istrefi tha se gjatë muajve janar –tetor të vitit 2020, Avokatura Shtetërore ka mbrojtur një numër të madh të rasteve në gjykatat vendore, ku vlera e kontestit të fituar është 10 milion e 183 mijë euro. “Të gjitha këto lëndë janë të fituara me vendimin e formës së prerë dhe kjo është një sukses jashtëzakonisht i madh”, tha avokati Istrefi.Avokatura Shtetërore ka gjithsej 1935 lëndë të pranuara në vitin 2020, ku 462 prej tyre janë të fituara dhe 307 lëndë janë me ankesë në Gjykatën e Apelit, të tjerat janë në proces, ka thënë ai.