Ka pasur zëra që të nominuarin e koalicionit PAN për kryeministër, Ramush Haradinajn, do ta votojnë edhe deputetë jashtë këtij koalicioni. Një gjë të tillë e kanë deklaruar edhe zyrtarë të tyre.
Njëri ndër emrat e përfolur që do ta votojë Haradinajn, ka qenë edhe ai i Rexhep Selimit nga Lëvizja Vetëvendosje.
Mirëpo, Rexhepi gjatë një bisede me Gazeta Metro ka hedhur poshtë këto spekulime.
“Jo nuk do ta votoj në asnjë mënyrë Ramush Haradinajn”, ka thënë Selimi.
Arsyeja e përfoljes se Rexhep Selimi është njëri nga deputetet jashtë koalicionit PAN që do ta votojë qeverinë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, ishte për shkak të raporteve të mira që Selimi ka me Daut Haradinajn.
Mirëpo, përveç PAN-it, që pohojnë se kanë vota jashtë koalicionit të tyre, edhe Lëvizja Vetëvendosje gjatë ditës së djeshme kanë deklaruar se janë plot 6 deputetë nga PAN-i që do ta votojnë për kryeministër të nominuarin e Vetëvendosjes, ish-kreun e partisë, Albin Kurtin.