Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, e ka kritikuar qeverinë se nuk po vepron kundër interesave të Serbisë në Kosovë.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Selimi ka theksuar se kjo qeveri dhe kryeministri Mustafa asnjëherë deri më tani nuk ka vënë përballë Serbisë as muskujt e as ligjin.
Ai ka thënë se përballë Serbisë kërcënuese dhe agresore, udhëheqësit e shtetit të Kosovës po sillen në mënyrë nënshtruese.
Selimi ka thënë se Kosova e ka vetëm qeverinë dhe presidentin të dobët dhe të nënshtruar ndaj Serbisë. “Kosova dhe shqiptarët nuk kanë frikë as nga Serbia e as nga kërcënimet e saj”, është shprehur Selimi.
Ai ka bërë thirrje të fillojnë procedurat e formimit të Forcave të Armatosura, pavarësisht prej kundërshtimeve të Serbisë.
“Serbia është arsyeja kryesore se përse ne duhet të kemi ushtri të fortë dhe të përgatitur mirë”, ka thënë Selimi.