Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, vlerëson se rasti me listat e fryra të veteranëve të UÇK-së është i mjaftueshëm për shkarkimin e kryeprokurori të Shtetit, Aleksandër Lumezi.
Prokurori i dorëhequr, Elez Blakaj, përmes një letre publike ka thënë se kryeprokurori Lumezi e kishte penguar në punën e tij.
Selimi ka deklaruar në një intervistë për Ekonomia Online se arsye tjetër për shkarkimin e Lumezit është edhe, siç ka thënë, krimi i organizuar në institucionet e sigurisë dhe drejtësisë dhe kërcënimet ndaj vartësve të tij.
“Sa i përket Lumezit nuk është arsyeja e vetme, por do të ishte e mjaftueshme që ai të shkarkohet. Ka edhe arsye tjera që duhet të shkarkuar. Në njërën nga seancat e Parlamentit të Kosovës unë kam ngritur një problem, i cili nuk ka të bëjë në këtë rast me veteranët, por me krimin e organizuar në institucionet e sigurisë dhe drejtësisë në Kosovë, ku ndër përgjegjësit kryesorë edhe në atë rast vazhdon të jetë Aleksandër Lumezi”, ka thënë Selimi
“Në krye të drejtësisë është vënë një person, i cili është i implikuar në krimin e organizuar, shto tash edhe kërcënimin që ai u bën vartësve të vet, shto edhe implikimin e tij në tema tjera. Atëherë, mbetet jo vetëm i implikuar, por edhe përtej saj. Në anën tjetër, bashkë me të janë rreshtuar edhe eprorët politikë të tij, qoftë presidenti dikur ose tani, qoftë tani edhe kryeministri në anën e Aleksandër Lumezit”, ka shtuar ai.
Selimi beson se problemi me listat e veteranëve nuk zgjidhet me shkarkimin e vetëm një personi, pasi thotë se problem nuk është vetëm Aleksandër Lumezi, por sistemi pjesë e të cilit është kryeprokurori.
Për fyerjet e kryeministrit Haradinaj si “hajn i pulave” e “pishpirik” në drejtim të ish-prokurorit Blakaj, i cili po merrej me hetimin e dyshimeve për mbi 19 mijë veteranë të “rrejshëm”, Selimi thotë se nuk është hera e parë që shefi i Qeverisë zbret në nivele të tilla të fjalorit.
“Kur një prokuror nxjerr në pah që po ndodh një krim dhe të involvuarit, në këtë rast ose të përmendurit janë në panik ose të shqetësuar, kjo tashmë e ka përcaktuar edhe verdiktin paraprakisht. Por, le të merremi me çështjen që e ka trajtuar ky ‘hajni i pulave’ dhe mendoj që është një tentim për t’i bërë eskivazhe temës kryesore me fjalorë të tillë”, është shprehur Selimi në intervistën për EO.
Selimi i është përgjigjur Haradinajt edhe për akuzat e tij se LVV-ja po mbron prokurorë që deri më tani i ka sharë dhe se është parti e dobët e pa guxim politik, duke thënë se partia e tij ka qenë, është dhe do të jetë në anën e drejtësisë.
“Sa për trimëri, guxim e të tjera nuk e kemi ndërmend të merremi me këtë temë, sepse LVV-ja ka guxuar, guxon dhe do të guxojë të jetë gjithmonë të jetë kundër cilësdo të keqe, kundër cilitdo kriminel, cilitdo përfaqësues të krimit, kundër cilitdo që pengon luftimin e krimit, cilitdo që e mbron krimin. Është për keqardhje një nivel i tillë i paraqitjes së kryeministrit në konferencë për shtyp në objektin e Qeverisë”, ka deklaruar ai në një intervistë për Ekonomia Online.