Prej që është nënshkruar marrëveshja në Bruksel në vitin 2015, për Demarkacionin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, opozita nuk ka ndryshuar qëndrimin për kundërshtimin e formës aktuale të Demarkacionit.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë për Telegrafin se kurdo që do të dërgohet projektligji për Demarkacionin në Kuvend, nga Qeveria, ata do ta kundërshtojnë me çdo kusht.
Selimi nuk e përjashton mundësin e përdorimit të gazit lotsjellës, për ta kundërshtuar votimin e Demarkacionit.
“Kurdo që vjen Demarkacioni në Kuvend, Vetëvendosja e ka të njëjtin qëndrim që dy vite. Besoj që edhe partitë si AAK dhe Nisma e kanë të njëjtin qëndrim”, ka thënë ai për Telegrafin.
Rexhep Selimi ka thënë se me kundërshtimin e vazhdueshme të Demarkacionit me Maline Zi kanë arritur të bindin edhe disa deputet të pozitës. “Me vendosmëri i kemi bindur edhe deputetët e pozitës”, tha Selimi.
Po ashtu, votimin e Demarkacionit e kanë kundërshtuar edhe deputetet e koalicionit qeverisës Nait Hasani i PDK-së e Shpejtim Bulliqi e Adem Salihaj të LDK-së.
Ndryshe, Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi mbetet njëri ndër kushtet kryesore për liberalizimin e vizave nga Bashkimi Evropian.