Deputeti Driton Selmanaj thotë se Lidhja Demokratike duhet të qëndrojë në opozitë edhe në Prizren sikurse në nivel qendror dhe se në asnjë variant nuk duhet ta përkrah kandidatin e PDK-së, ndërsa elektorati i LDK-së, sipas Selmanajt, duhet ta zgjedhë kë të dojë.
Selmanaj për Gazetën Express thotë se ka biseda mes LDK’së dhe partive në balotazh në Prizren PDK dhe VV, por vetë ai nuk ka marrë pjesë në asnjë takim edhe pse ishte shef i shtabit zgjedhor në këtë komunë.
Deputeti i LDK-së tregon se pas zgjedhjeve, ai ka përfunduar punën e tij specifikisht në Prizren, ndërsa komenton si anëtar i LDK-së se cila do të ishte zgjedhja e duhur e partisë së tij për qytetin nga ai vjen.
“LDK-ja zyrtarisht nuk ka qëndrim të përkrah dikë. Jemi të tretit dhe ne do t’ia lëmë elektoratit të vendosë kë dëshiron ta votojë”, ka thënë Selmanaj.
Selmanaj përsërit se, për të, me Partinë Demokratike, nuk duhet të krijojnë koalicione as pas zgjedhjeve, nëse ajo fiton, dhe as të përkrahet kandidati i saj para zgjedhjeve.
“E mira e këtij vendi dhe e secilës komunë është që PDK-ja të mos qeverisë në asnjë komunë derisa mos të demokratizohet kjo parti”, ka thënë deputeti.
Selmanaj tregon që në momentin kur kanë përfunduar zgjedhjet ai më nuk ka kompetenca për degën e LDK-së në Prizren, megjithatë si anëtar, e LDK-së ai thotë se do të dëmtoheshin qytetarët e Prizrenit nëqoftëse LDK i përkrah.
Ndryshe, kandidati LDK-së, Hatim Baxhaku, i cili doli i treti në garë, ka thënë për Gazetën Express ditë më parë se preferon Haskukën e VV’së, para kandidati të PDK-së.
Në zgjedhjet e 22 tetorit Shaqir Totaj ka dalë i pari në Prizren, duke shkuar në balotazh me Mytaher Haskukën, me të cilin do të përballet edhe një herë më 19 nëntor.