Seminari i Gjuhës e Kulturës Shqiptare fillon të hënën – Rugova: 130 të interesuar ta mësojnë shqipen, 120 studiues pjesëmarrës

Prishtinë | 11 Gus 2023 | 08:38 | Nga Hana Lohaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Seminari Ndërkombëtar i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, i themeluar më 1974, sivjet do ta mbajë edicionin e katërmbëdhjetë. Profesori Bardh Rugova, njëherit drejtori i këtij Seminari i tha Ekonomia Online se diku rreth 120 të ftuar do marrin pjesë për ta mësuar shqipen.

Përderisa me referime, kumtesa, studime e prezantime, ai sqaroi se do marrin pjesë diku 130 të ftuar dhe se këtë vit numri i pjesëmarrësve është shtuar dukshëm në krahasim me atë të vitit të kaluar.

“Seminari ndërkombëtar përfshin një varg aktivitetesh të ndryshme dhe për këtë shkak kemi dy grupe kryesore të pjesëmarrësve aktivë të cilët do t’i klasifikonim në grupin e pjesëmarrësve të cilët vijnë për të mësuar shqipen dhe këtu kemi 100 deri 120 të ftuar dhe e kemi pjesën tjetër të pjesëmarrësve aktivë që paraqiten në kumtesa, në referime, në studime të ndryshme të cilat i prezantojnë në seminar dhe të tillë janë rreth 130”.

“Është një numër pakëz më i madh sesa në vitet e tjera, nuk e di për çfarë arsye ka pasur sivjet një numër pakëz më të shtuar të të interesuarve për të marrë pjesë në seminar, natyrisht jemi përpjekur maksimalisht që të kalojmë nëpër të gjithë filtrat e mundshëm dhe më duket se kemi arritur të nxjerrim një optimum të cilësisë që mund të bëhet në konferencat e caktuara shkencore”, u shpreh Rugova.

Rugova poashtu tregoi për të arriturat e seminarit ndër vite dhe sesi ky seminar ka qenë pikënisje e emrave shumë eminentë në lëminë e albanologjisë si Irena Sawicka, Victor Friedman e Robert Elsie.

“Prej këtyre që dëshirojnë ta mësojnë shqipen ka prej vendeve të ndryshme, numri më i madh i tyre është nga Polonia, do të ketë nga Italia, kemi shumë nga Austria, kemi nga vende të ndryshme të Evropës Perëndimore, e kemi një arvanit, kemi edhe nga Rusia, Serbia, nga Bullgaria, nga Rumania, nga Gjermania të interesuar për ta mësuar shqipen. Dhe këta pjesëmarrës shpresojmë që ndonjë prej tyre të shëndrrohet në albanolog të madh. Ne me mburrje mund të themi se në këto 50 vite të këtij seminari kemi arritur të prodhojmë albanologë nëpër botë dhe thuajse nuk ka asnjë albanolog të rëndësishëm botëror që nuk ka qenë në një formë apo në një tjetër ose që nuk ka kaluar përmes këtij seminari. Disa prej tyre po i përmendi akademikët si  Sawicka, Friedman, i ndjeri Robert Elsie, fjalët e para të shqipes i kanë mësuar pikërisht kur kanë qenë të rinj në këtë seminar”, tha Rugova.

Rugova foli rreth programit që do zë vend gjatë ditëve të planifikuara në të cilat do mbahet ky seminar, ku përveç ligjëratave do ketë edhe net me këngë e aktivitete të ndryshme.

“Do të kemi një numër të ligjëratave dhe jemi përpjekur që të ftojmë emra të rëndësishëm të cilët nuk kanë qenë në vitet e fundit. Ndër emrat më të mëdhenj  të cilët do t’i kisha përmendur është  Michiel de Vaan, një prej studiuesve më të mirë të gjuhësisë indo-evropiane, që është marrë shumë edhe me shqipen, dhe ai do të paraqitet me një ligjëratë. Është Stefano Canalis, studiues italian, i cili është marrë shumë me tekstin e shqipes dhe është shumë i rëndësishëm, nuk ka qenë deri tash, është për herë të parë tek ne. David Hosaflook, i cili është marrë me lëvizjen protestante të Shqipërisë dhe ka trajtuar e shkokluar këtë kuadër, e kemi Konrad Cleëing, i cili është marrë me çështje historike-politike që lidhen me shqiptarët. Oliver Schmitt patjetër një prej albanologëve më në zë në botë”.

“Poashtu është Ranko Matasović, studiues kroat, akademik të cilin e kemi lutur të mbajë një ligjëratë për siç e kemi menduar ‘të imagjinuarit e ilirishtes’, ne nuk e njohim mjaftueshëm ilirishten, nuk ka të dhëna mjaftueshëm. Në ato rindërtime që i bëjmë nuk ka ndonjë dokument të plotë, nuk ka diçka shumë të shkruar në ilirishte dhe te filmi “Ilirët”, Matasović e ka imagjinuar në bazë të njohurive të veta ilirishten e cila flitet në film dhe kemi dashur që ta shpjegojë anën shkencore të kësaj. Do të kemi ligjëratë të Muhamedin Mufakut, një prej akademikëve më të cmuar të Kosovës, poashtu Hivzi Islamin, ish-kryetarin e akademisë, i cili do flasë për toponimet në Kosovë. Do të kemi një orë, të cilën nuk po e quaj orë letrare por orë e cila i kushtohet shkrimtarit Eqrem Basha, vlerësimet e mia janë se po flasim për shkrimtarin numër një të Kosovës dhe i cili poashtu nuk ka qejf të jetë shumë i pranishëm në publik dhe kemi dashur që të tjerët të vlerësojnë dhe kemi organizuar një seancë referimesh vetëm për të”.

“Do të kemi një natë me muzikë arbëreshe, Dina Bushic, është mbesa e Aleksander Stipcevicit të famshëm, e cila do t’i këndojë këngët arbëreshe. Do të kemi një koncert me Valton Beqirin, koncert ose prezantim të muzikës së tij. Do të kemi një cikël të madh të referimeve të cilat do të kenë të bëjnë me kontaktet e Kosovës me vendet e tjera. Do të kemi çështje të ndryshme të historisë shqiptare, do të diskutojmë për ndeshjen Zvicër- Serbi dhe burimin mediatik dhe narrativat e krijuara pas asaj ndeshjeje. Do të ketë prezentim të veshjeve kombëtare shqiptare, do të kemi një ekspozitë të veprave të Sinan Shirokës”, u shpreh Rugova.

Seminari Ndërkombëtar i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare do të nisë punimet të hënën, më 14 gusht dhe do të zgjasë deri më 25 gusht.

Të ngjashme