Senati amerikan me projektligj për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor

Prishtinë | 19 Maj 2023 | 13:11 | Nga Ekonomia Online

Të enjten në senatin amerikan është propozuar një projektligj i ri për demokracinë dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor”.

Ky propozim u bë me iniciativën e kryetares së Nënkomisionit për Evropën në Komisionin për Marrëdhëniet me Politikën e Jashtme të Senatit Amerikan, Jeanne Shaheen, e cila mori mbështetjen e senatorëve Roger Wicker, Ben Cardin, Dick Durbin dhe Chris Van Hollen, njofton Klan Kosova.

“Ruajtja e paqes dhe forcimi i demokracisë në Ballkan është kritike për sigurinë dhe stabilitetin evropian, veçanërisht ndërsa lufta e paprovokuar e Putinit në Ukrainë po vazhdon. Legjislacioni im dypartiak do të forcojë tregtinë dhe investimet midis ShBA-së dhe Ballkanit Perëndimor, do të çrrënjosë korrupsionin, do të kodifikojë sanksionet kundër aktorëve destabilizues dhe do të dërgojë një sinjal të fortë dypartiak se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj partnerëve tanë në rajon”, ka thënë senatorja Shaheen.

“Vitin e kaluar vizitova Ballkanin Perëndimor dhe takova njerëz të panumërt të angazhuar për ndërtimin e një shteti të fortë demokratik për brezat e ardhshëm. Së bashku, ne mund të punojmë për të forcuar institucionet demokratike dhe për të ndërtuar një rajon më paqësor dhe më të qëndrueshëm për të luftuar ndikimin keqdashës të Putinit”.

Tutje, ky projektligj synon nisjen e një iniciative për luftimin e korrupsionit, e cila do ta drejtonte Sekretarin e Shtetit të ShBA-së për t’i ofruar asistencë teknike të gjitha vendeve në zhvillimin e strategjive kombëtare për të luftuar korrupsionin.

Të ngjashme