>Në mbledhjen e sotme të Senatit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” u vendos që në afatin e provimeve të nëntorit studentët të kenë të drejtë të hyjnë vetëm në dy provime.
Senatorët studentë deklaruan se kanë pranuar shumë kërkesa nga kolegët e tyre prandaj edhe kërkuan që të aprovohet kjo kërkesë dhe studentët të kenë mundësi t’i paraqesin dy provime.
Senatori student Halim Hoti tha se studentët kanë adresuar një numër të madh të problemeve tek ta mirëpo sipas Hotit, kanë vendosur që ta propozojnë njërën ndër to.
“Nëse afati i nëntorit mund të realizohet me një provim atëherë mendoj që do të mund të bëhej edhe me dy provime sepse në këtë mënyrë do t’i ndihmonin studentët që ata t’i kalonin provimet”, tha Hoti.
Prorektori për zhvillim dhe cilësi, Hysen Bytyqi tha se këto kërkesa po e shkaktojnë shmangien e njërës prej shtyllave të statutit të UP-së i cili parasheh që të jenë vetëm tri afate për provime.
Sipas tij, është një numër i madh i profesorëve që janë duke e respektuar ngarkesën e studentit që është paraparë në syllabus dhe është i domosdoshëm të respektohet prej të gjithë profesorëve.
“Unë mendoj se me këto kërkesa po dëmtohet cilësia, prandaj po kërkoj që të implementohet sistemi i Bolonjës”, deklaroi ai.
Ndërkaq, dekani i Fakulteti të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, Abdullah Zejnullahu tha se e mbështet kërkesën e studentëve për t’iu mundësuar që t’i paraqesin dy provime sepse sipas tij, kjo do t’ua mundësonte studentëve që t’i kalojnë provimet më shpejtë/Kallxo.com