Në vizitën e saj të fundit në Kosovë, Senatorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joni Ernst, nga shteti i Iowas, shoqëruar nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë Philip Kosnett, u takua me përfaqësuesit e bizneseve të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Senatorja Ernst tha se është e lumtur të kthehet sërish në Kosovë për të diskutuar me zyrtarët e Kosovës se si Shtetet e Bashkuara mund të vazhdojnë përkrahjen, por gjithashtu për mënyrat se si shteti i Iowas mund të zgjerojë rolin e saj në Kosovë përmes partneritetit afatgjatë ndërmjet Kosovës dhe Iowas. Ernst tha se shpreson që partneriteti do të mund të lëvizte përtej bashkëpunimit tashmë të fuqishëm ushtarak, duke u zgjeruar në edukim, zhvillim biznesi dhe në bujqësi.
“Ekzistojnë mënyra konkrete për avancimin e zhvillimit ekonomik dhe përkrahjen e bizneseve në Kosovë. Është me rëndësi të synohen fushat me mundësi më të mëdha për bashkëpunimin e zgjeruar ndërmjet Iowas dhe Kosovës, siç është bujqësia,” tha Senatorja Ernst.
Duke folur për zhvillimin e fuqisë punëtore, ajo theksoi rëndësinë e programeve të kualifikimeve profesionale për nxënësit, si një alternativë ndaj titujve universitarë, duke përmendur suksesin e programeve të tilla në Iowa. Ernst theksoi se si këto programe përgatisin të rinjtë për tregun e punës, duke krijuar ndërlidhje më të mirë ndërmjet zhvillimit të shkathtësive me nevojat e punëdhënësve.
Lidhur me klimën e investimeve në Kosovë, Senatorja Ernst tha se ka shumë njerëz të cilët do të kishin vullnet për të investuar dhe për t’u angazhuar në Kosovë, por investitorët kanë nevojë të sigurohen për një sistem të fuqishëm ligjor, të mbështetur nga respektimi i demonstruar për sundimin e ligjit.