Disa punonjës të institucioneve serbe që veprojnë në Kosovë kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë (në gjuhën serbe) se ata janë “të detyruar” të marrin pjesë në bllokimin e vendkalimeve kufitare Jarinjë dhe Bërnjak. Ata deklarojnë se autoritetet lokale po u kërkojnë ta bëjnë këtë, por ata këmbëngulën që identiteti i tyre të mos zbulohet.
Gjithashtu, derisa protestat vazhdojnë në këto pika kufitare, shumica e objekteve të hotelerisë në katër komuna në veri të Kosovës po mbyllen.
Siç iu konfirmua REL-it, qëllimi i kësaj mase është që sa më shumë njerëz të shkojnë në barrikada në Leposaviq, ku ndodhet pikë-kalimi Jarinjë, ose në Zubin Potok, në territorin e të cilit ndodhet kalimi kufitar Bërnjak.
Megjithatë, as pronarët e restoranteve në veri të Kosovës nuk kanë dashur të zbulojnë identitetin e tyre.
Në vitin 2011, KFOR-i identifikoi Zvonko Veselinoviqin si personin që organizoi ngritjen e barrikadave dhe trazirave në atë pjesë të Kosovës.
Zvonko Veselinoviq, një biznesmen nga veriu i Kosovës, së bashku me nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, është i lidhur me disa veprime kriminale kundër të cilave janë kryer disa procedura para autoriteteve gjyqësore në Serbi.
Një aktakuzë u ngrit kundër Veselinoviq dhe Radoiçiq në vitin 2011, duke i akuzuar ata për keqpërdorimin e 32 kamionëve Hypo Alpe Adria Leasing, që përkonte me vendimin e Beogradit për të filluar një dialog me Prishtinën dhe duke u bërë thirrje serbëve nga veriu i Kosovës që të hiqnin barrikadat. Të dy u liruan nga akuzat në vitin 2016.