Pas çdo aksioni apo veprimi të Qeverisë së Kosovës që ka të bëjë me veriun apo serbët, Lista Serbe del me kërcënimin “vetëm edhe një herë lë të ndodhë”.
Kështu ishte edhe pasi nuk u lejua mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë, vlerëson Milica Andriq-Rakiq nga Iniciativa e Re Shoqërore.
“Qysh tash po i themi Prishtinës, se më 3 prill do të mbahen zgjedhjet presidenciale të Serbisë kudo ka serbë në Kosovë. Nëse nuk lejohemi, do të vendosim reciprocitet”, kërcënoi ministri në Qeverinë e Kosovës dhe lideri i Listës Serbe, Goran Rakiq.
Këtë kërcënim të Rakiqit, Andriq-Rakiq e quan bosh dhe thotë se kështu tha edhe pas aksionit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin në lidhje me targat dhe më pas për luftimin e korrupsionit e kontrabandës.
“Lista serbe ka pasur kërcënime të ngjashme edhe në të kaluarën dhe nëse kërcënimi i fundit do të realizohej për daljen nga institucionet, sot ne nuk do t’i kishim institucionet e Kosovës në zonat serbe në Kosovë. Meqë kjo nuk ka ndodhur as në të gjitha situatat e mëparshme kur Lista Serbe kërcënonte me masa të caktuara, edhe tani sinqerisht mendoj se është e vështirë që kjo, vënia e reciprocitetit, të realizohet”, tha Andriq-Rakiq për portalin “Kossev”.
Sipas saj, pas ndalesës për mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë, ka shumë mundësi që më të mos lejohet kurrfarë votimi i organizuar nga shteti serb në Kosovë, as zgjedhjet presidenciale që janë më 3 prill.
“Ka shumë pak mundësi që zgjedhje e Serbisë të mbahen ndonjëherë në territorin e Kosovës. Deri në këtë referendum, Serbia i referohej praktikës ekzistuese dhe marrëveshjes që kishte me OSBE-në për mbledhjen e votave. Serbia në fakt ka vendosur një praktikë të re, një mënyrë tjetër të organizimit të serbëve. Nuk është aspak ideale që njerëzit të udhëtojnë dy orë e gjysmë për të ushtruar të drejtën e votës”, u shpreh Andriq-Rakiq.